Ndërlidhjet

BEOGRADI KA NDIKIM ABSOLUT TE SHUMICA E SERBËVE TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Për momentet nëpër të cilat po kalon Kosova në prag të përcaktimit të statusit të saj,është krejt normale që Beogradi zyrtar ka ndikim të madh politik në politikën që bëjnë serbët e Kosovës, mendojnë përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike të serbëve të Kosovës.
Oliver Ivanoviq, udhëheqës i Listës Sserbe për Kosovën e Metohinë tha se aktualisht ka ndikim absolut të Beogradit:

"Aktualisht ka një ndikim absolut të Beogradit mbi sjelljet dhe vendimet tona politike, por nuk do të thosha edhe në qëndrimet tona politike, pasi gjithnjë e më shpesh ka situata kur ne deklarohemi për çështje të caktuar, varësisht nga ajo se si i përjetojmë ato," tha Ivanoviq. Ai tha se lidhur me këtë ekziston një polarizim i qartë ndërmjet serbëve, varësisht nga pjesët e Kosovës ku ata jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre politik:

"Në Kosovë ka polarizim të qartë ndërmjet serbëve që jetojnë në veri, të cilët në 99 përqind të rasteve ndjekin ato që thuhen në Beograd," tha Ivanoviq, sipas të cilit serbët që jetojnë në pjesën qëndrore të Kosovës dhe në zonat më të rrezikuara, siç u shpreh Ivanoviq, ka edhe qëndrime te ndryshme që nuk janë gjithmonë në përputhje me ato të Beogradit zyrtar.

Ndërkaq, një nga udhëheqëset e Këshillit Nacional Serb për Kosovën, Rada Trajkoviq mendon se është krejtësisht normale përpjekja që të sigurohet paraqitje unike politike e Beogradit zyrtar dhe serbëve të Kosovës:

"Është krejt e natyrshme, që në periudhën kur zgjidhet statusi i Kosovës, parimi i qasjes unike për zgjidhjen e këtij problemi të mbretërojë ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Beogradit zyrtar," tha zonja Trajkoviq.

Ndërkaq, Ivanoviq mendon se serbët e Kosovës kanë potencial të vogël për të bërë politike të pavarur në raport me Beogradin:
"Mendoj se në 10-15 vitet e fundit është bërë gjithçka që ajo elitë të mos formohet," tha Ivanoviq, sipas të cilit partitë politike në Beograd vazhdimisht kanë synuar të kenë ekskluzivitetin mbi politikën e serbëve të Kosovës dhe ky synim është i shprehur te të gjitha partitë e Serbisë.

Në anën tjetër, zonja Trajkoviq pohon se në Kosovë ka presion ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe. Ajo mendon se problem shumë i madh për të cilin flitet shumë pak dhe që nuk ndriçohet, janë mënyrat se si bëhet presion ndaj njerëzve të cilët mendojnë ndryshe:

"Ky presion nuk besoj se vjen nga qendrat politike, sidomos jo nga këto më demokratiket, por nga individë të shërbimeve sekrete serbe, të cilët ndodhen nëpër terren në Kosovë," tha zonja Trajkoviq.
Ajo tha se pushteti nuk ka ndërmarrë pothuajse asgjë në mënyrë që ato shërbime të transformohen.

"Njerëz nga këto shërbime janë shumë aktivë, në kuptim të mbështetjes për veprime kriminale në Kosovë në njërën anë dhe në anën tjetër përpiqen të komprometojnë politikanët dhe ata të cilët nuk u pëlqejnë," tha zonja Trajkoviq.

Ndërkaq, Oliver Ivanoviq mendon se është me shumë rëndësi që edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të jenë pjesë e institucioneve kosovare:

"Nuk ekziston asnjë arsye politike apo faktor që tash edhe dy vjet pas bojkotit të institucioneve, qëndron në ato pozicione dhe konsideron se duhet të vazhdohet bojkoti," tha Oliver Ivanoviq, sipas të cilit pjesëmarrja në institucionet vërtet nuk ka asnjë alternativë.





XS
SM
MD
LG