Ndërlidhjet

VONESA, VONESA


Economist

Në fillim të vitit, shqiptarët e Kosovës ishin të bindur se deri në fund të vitit do të fitonin pavarësinë. Por tash janë nervozë. Para një jave, mijëra shqiptarë e shënuan festën kombëtare me protesta në Prishtinë, ndërsa gurë dhe ngjyrë u hodhën në ndërtesat e UNMIK-ut.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari i kryesoi bisedimet për të ardhmen e Kosovës, por ato dështuan. Ahtisaari për këtë fajësoi mosgatishmërinë e Serbisë për t'u angazhuar në dialog konstruktiv. Prandaj ish presidenti finlandez ka përgatitur planin e tij, i cili pritet të ofrojë një formë të pavarësisë së kushtëzuar për Kosovën.

Atëherë shtrohet pyetja, përse ka nervozizëm në mesin e kosovarëve? Diplomatët flasin për një "dëshpërim të dyfishtë". Liderët kosovarë e premtuan pavarësinë deri në fund të vitit por ajo tash u shty. Nga ana tjetër, kosovarët ndoshta do të kenë më pak kontroll në jetët e tyre se sa shpresonin.

Pasi zoti Ahtisaari ta ketë prezantuar planin e tij në fillim të shkurtit, do të ketë disa javë diskutime brenda Këshillit të Sigurimit, ku shumica e anëtarëve janë pro pavarësisë, ndërsa Rusia nuk është. Me pak fat, ndoshta një rezolutë e re do të mund të miratohet në mars, ndonëse ambasadori rus në Beograd tha se vendi i tij është i gatshëm të përdorë veton për pavarësinë e Kosovës.

Kosovarët ndërkaq kanë supozuar se vendet individuale do ta njihnin shpejt shtetin e ri të tyre, por edhe kjo mund të vihet në pikëpyetje. Nëse miratohet rezolutë e re, atëherë një mision i ri do ta trashëgojë UNMIK-un.

Bashkimi Evropian, i cili do ta dominojë misionin e ri, dëshiron që kalimi të mos zgjatë mbi 3 muaj, por Kombet e Bashkuara thonë se mund të zgjatë deri 6 muaj. Pra, "dita e statusit" mund të vijë 6 muaj më vonë. Një diplomat ka thënë se misioni ndërkombëtar do të ketë kompetenca korrigjuese. Në terma praktikë, shumë njerëz mund të shohin pak dallim ndërmjet misionit të ri të Bashkimit Evropian dhe atij aktual të Kombeve të Bashkuara.

Por nuk janë vetëm kosovarët ata që druajnë për të ardhmen e tyre. Një zyrtar i lartë serb ka thënë se qëndrimi i ngurtë i Rusisë mund t'i inkurajonte disa shqiptarë që përsëri t'i rreken dhunës, gjë që do të çonte në një ekzod të ri të dhjetëra mijë serbëve të Kosovës. Nëse rajoni përsëri do të zhytej në konflikt, atëherë investimet e huaja në Serbi mund të binin shpejt, ka thënë ai.

Nëse Rusia do ta bllokonte rezolutën e re për Kosovën, nuk ka një plan tjetër. Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë u ka bërë me dije vendeve fqinje, si psh. Maqedonisë, se mund të përballen me embargo nëse unilateralisht e njohin Kosovën.

Vojisllav Koshtunica ndjeu se disa gjëra mund t'i shkojnë për shtat. Në samitin në Riga, NATO e ftoi Serbinë t'i bashkangjitet programit Partneriteti për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit. Para kësaj kërkohej nga Serbia fillimisht ta arrestojë Ratko Mlladiqin. Por nga gatishmëria e NATO-s për të anashkaluar këtë kusht, Koshtunica konkludon se uniteti i jashtëm do të rrënohet, vetëm nëse ai do të tregohej mjaft i ashpër. Ai shpreson që kjo të ndodhë edhe në rastin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG