Ndërlidhjet

KEK-u NDOTËSI MË I MADH I AMBIENTIT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Korporata Energjetike e Kosovës, Kombinati Trepça në Mitrovicë dhe Fabrika e Betonit në Han të Elezit, janë kompanitë kryesore që ndotin ambientin në Kosovë. Kështu kanë pohuar sot zyrtarë të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ata të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave.

Tymi që lirohet nga termocentralet e Korporatës Energjetike, mostrajtimi adekuat i mbeturinave, gazrat e automjeteve të vjetra dhe të pakontrolluara nga organet kompetente, për çdo ditë rrezikojnë shëndetin e qytetarëve kosovare, tha Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Por, sipas tij, Korporata Energjetike, është ndotësi më i madh i ambientit në Kosovë.

“Llogaritet që për çdo vit në Kosovë 5 deri 9 milion ton CO2 i liron në atmosferë çka ndikon edhe në çështjet globale. Kryeqyteti i Kosovës me rrethinë ka afër 800 mijë banorë, që i ekspozohen për çdo ditë rrezikut, sidomos përmes organeve të frymëmarrjes”, tha zoti Morina.

Në një konferencë ndërkombëtare që u mbajt sot në Prishtinë për mbrojtjen e ambientit nëpërmjet një energjie më efikase, u tha se ndërtimi i termocentralit të ri, riparimi i termocentraleve të KEK-ut dhe vetëdijësimi i qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike, janë faktorë që do të mundësojnë një ambient më të pastër.

Adrian Gjini, Ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se termocentrali i ri gjithsesi duhet të ndërtohet me teknologjinë më moderne, në mënyrë që thëngjilli të digjet pa liruar asnjë gaz.

“Për shkak se termocentralet e vjetra do t'i nënshtrohen regjimit rigoroz, atëherë kur do të ketë energji dhe nuk do të jemi të detyruar që të marrim energji prej Kosovës A, sepse ajo do t'i nënshtrohet regjimit të përmirësimit qysh tani. Besoj se ndërtimi i termocentraleve të reja do të përmirësojë kualitetin e ajrit dhe do ta ulë ndotjen në Kosovë” tha ministri Gjini.

Ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, tha se për investitorin potencial për ndërtimin e termocentralit Kosova C, kusht kryesor do të jetë ruajtja e mjedisit në Kosovë.

“Teknologjitë që përdoren në Kosova C, duhet të jenë teknologji në harmoni me direktivat e Bashkimin Evropian për ndotjen e mjedisit dhe me protokollin e Kiotos”, tha ministri Çeku.

Duke pranuar se Korporata Energjetike e Kosovës,në 50 vitet e kaluara paraqitet si ndotësi më i madh i mjedisit, ministri Çeku, thotë se kjo ka ndodhur për faktin se regjimet e mëparshme nuk kanë investuar fare në çështjen e mjedisit. Megjithatë zoti Çeku, pohon se tashmë janë bërë disa riparime në disa blloqe të termocentralit Kosova A.

“Tani Agjencia Evropiane në bashkëpunim më KEK-un dhe me buxhetin e konsoliduar të Kosovës, kanë bërë disa hapa në vendosjen e elektro filtrave në Kosovën A, dhe kemi një gjendje shumë të mirë se sa ka ekzistuar më herët," tha ministri Çeku.

Sidoqoftë, ambientalistët kanë tërhequr vërejtjen se banorët që jetojnë në afërsi të kompanive të cilat ndotin ambientin, janë të rrezikuar nga sëmundjet e frymëmarrjes, por edhe nga kanceri. Megjithatë, studimet konkrete mbi këtë çështje ende mungojnë.

XS
SM
MD
LG