Ndërlidhjet

LDK (NUK) DO TË PËRÇAHET


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti aktual i Kosovës Fatmir Sejdiu, ka marrë sot mbështetjen e plotë të zëvendësit të parë të shefit të UNMIK-ut Stivën Shuk.

Pas një takimi të zhvilluar ndërmjet Sejdiut dhe Stiv Shukut, ky i fundit tha se e përgëzonte Sejdiun për fitoren dhe i ofronte mbështetje të plotë, duke i akuzuar ata që shkaktuan incidente, që sipas tij, erdhën si pasojë e mospranimit të rezultatit të zgjedhjeve.

"Mendimi ynë është se zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë përfunduar dhe se këshilli drejtues i partisë është zgjedhur", tha Stivën Shuk, duke i uruar fitoren presidentit Sejdiu.

Dje mbështetje Sejdiut i ka ofruar edhe shefja e zyrës amerikane në Prishtinë Tina Kajdanou. Kurse sot, familja e presidentit të ndjerë Rugova i ka uruar Fatmir Sejdiut zgjedhjen si kryetar i ri i LDK-së, me dëshirat më të mira që Kosova sa më parë të bëhet shtet i pavarur.

Urojmë që LDK-ja nën drejtimin tuaj të çojë më tej proceset demokratike, veçanërisht në këtë fazë shumë të rëndësishme për vendin tonë. Urojmë që Kosova sa më shpejt të njihet edhe formalisht si shtet i pavarur, thuhet në përgëzimet e familjes së presidentit Rugova.

Në anën tjetër zhvillimet në Lidhjen Demokratike pas Kuvendit të 6-të zgjedhor, e çojnë partinë kah ndarja në dy krahë. Ndërsa kryetari i sapozgjedhur Sejdiu edhe sot përsëriti se procesi zgjedhor ka përfunduar, mbështetësit e Nexhat Dacit kërkojnë rishikimin e listës së këshillit të përgjithshëm të partisë. Mirëpo Sejdiu ka thënë se ky është një kapitul i mbyllur dhe se nuk do të ketë kthim mbrapa.

"Kuvendi ka vendosur, ka marrë vendimin e vet përfundimtar dhe atë vendim unë do ta respektoj. Ka Kuvendi zgjedhor nuk ka mbetur pa kryer asgjë. Të gjitha çështjet janë kryer dhe mbetet që Këshilli i përgjithshëm të thirret dhe natyrisht të zgjedhë udhëheqjen e re, kryesinë si trup, " tha Fatmir Sejdiu.

Përderisa Fatmir Sejdiu u shpreh i bindur se LDK dhe koalicioni qeverisës do të ruajnë fuqinë që kanë, degët e Lidhjes Demokratike nga Çikago, Gjermania, Zvicra, i kanë dhënë sot mesazhin e fundit, siç thanë ata, kryetarit të sapozgjedhur Fatmir Sejdiu, që të ndryshojë listën e anëtarëve të këshillit drejtues të partisë, ose kanë paralajmëruar alternativa të reja.

Në një konferencë të përbashkët të përfaqësuesve të LDK-së nga Çikago, Gjermania dhe Zvicra, të cilët shoqëroheshin edhe nga njerëz të afërt me Nexhat Dacin në këtë parti, thanë se Sejdiu duhet urgjentisht që listën e Këshillit drejtues ta hartojë në proporcion me rezultatin e dy kandidatëve për postin e partisë. Në bazë të llogaritjeve të tyre, lista për këshillin e përgjithshëm të LDK-së duhet të përbëhet me 40 deri 45 përqind me njerëz që konsiderohen të afërt apo mbështetës të Nexhat Dacit dhe pjesa tjetër me njerëz që mbështesin Sejdiun.

Afiz Gagica, nga dega e LDK-së në Gjermani tha se shpresonte se Sejdiu do ta kuptonte qartë këtë mesazh para se të bëhej shumë vonë.
"Mesazhi i të shtunës, të djelës dhe të ditës së sotme vazhdon deri nesër. Nuk duhet të humbet kohë me ditë të tëra, por besoj se sot e nesër të gjejnë mundësinë dhe të ulen", tha Gagica.

Ndryshe, burime nga krahu i Nexhat Dacit thonë se janë në pritje të nismës eventuale të Fatmir Sejdiut dhe Eqerem Kryeziut për ndryshimin e listës së anëtarëve të këshillit të përgjithshëm. Në të kundërtën ata paralajmërojnë formimin e një partie të re, e cila gjithashtu thuhet se do të ruante emrin e Lidhjes Demokratike dhe do të angazhohej që të vazhdonte politikën e Ibrahim Rugovës.

Sidoqoftë në analiza të ndryshme shtrohet dhe dilema që zhvillimet e fundit në LDK do të mund të reflektonin dhe në koalicionin qeverisës, pasiqë ky koalicion, pas krijimit të një krahu të ri politik nga LDK-ja, do të mund të rrezikonte të humbte shumicën në Kuvend.





XS
SM
MD
LG