Ndërlidhjet

ZHVILLIMET NË LDK DO NDIKOJNË SPEKTRIN POLITIK, VLERËSOJNË ANALISTËT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zhvillimet e fundit në Kuvendin e gjashtë zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës do t'u paraprijnë ndryshimeve të ngjashme që do të ndodhin në tërë spektrin politik në Kosovë në të ardhmen, parashikojnë analistë kosovarë.

Sipas Shkëlzen Maliqit zhvillimet në LDK kanë qenë pasojë e problemeve të grumbulluara në këtë parti dhe rivalitetit të treguar kohëve të fundit mes krahëve të saj. Po ashtu Shkëlzen Maliqi nuk ep ërjashton dhe mundësinë që këto zhvillime në LDK të ndikojnë edhe në funksionimin e institucioneve sidomos në qeverinë aktuale. Por ajo që sipas Maliqit karakterizon këto vendime është fillimi i ndryshimeve të mëdha që do të ndodhin në skenën politike të Kosovës.

"Ndikimi do të jetë tek partitë e tjera, kështu që kjo që ka ndodhur në LDK besoj se do të ndodhë edhe në PDK dhe në partitë e tjera dhe ne po hymë në një periudhë kur vërtet, figurativisht thënë, letrat do të ndahen nga fillimi dhe partitë duhet të profilizohen sipas programeve jo më me merita dhe jo më të udhëehqura nga klanet e ndryshme, por duhet të reflektojnë vetë domethënë interesat e qytetarëve dhe të votuesve", tha Shkëlzen Maliqi.

Ndërsa analisti Baton Haxhiu vlerëson se LDK ishte një parti me shumë divergjenca që nuk ka mundur të vazhdojë bashkë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Ai thotë po ashtu se edhe grupi politik që mbështet Nexhat Dacin dhe i cili pritet të dalë si fraksion dhe parti më vete, nuk do të jetë i gatshëm që menjëherë të kërkojë ndryshime në qeverinë aktuale. Pavarësisht se sipas Haxhiut nuk priten ndryshime të shpejta në qeveri, megjithatë, shton ai, kjo qeveri, pas Kuvendit të LDK-së edhe nëse ekziston, ajo nuk do të jetë funksionale për Kosovën.

"Çeku deri për vit të ri mund të jetë i qetë, edhe pse qetësia e tij është goxha me presion, për arsye se duke qenë gjithmonë i prekur me logjikën e numrave se kush është për rrëzimin e tij. Njeriu me presione të tilla nuk mund të funksionojë dhe të qeverisë. Prandaj qeveria ka rënë më 9 dhjetor, ditën kur është kryer Kuvendi, vetëm duhet t'i tregojë dikush se ka marrë fund ajo që quhet qeverisje. Qeveri mund të ekzistojë por qeverisje nuk mund të ketë", thotë Baton Haxhiu.

Ndarja eventuale e LDK-së në dy krahë që deklarohet tashmë edhe nga drejtuesit e saj, besohet se do të ndikojë shumë edhe në koalicionin aktual LDK - AAK. Në këtë aspekt, Haxhiu nuk e përjashton as mundësinë e një koalicioni gjithëpërfshirës, por sipas tij nuk do të ishte në funksion të qeverisjes së Kosovës sado të shihej në funksion të interesave partiake.

"Qeveria gjithëpërfshirëse në këtë vend është qeveri e kotë, por meqënëse këta dëshirojnë që secili ta kenë një copë në pushtet, por për shkak të telefonisë mobile, për shkak të tenderave të energjisë apo të tenderave të vogla. Në mungesë të vizionit, normalisht që do të mund të kemi qeveri unifikuese, e cila vendin do ta nxjerrë në zgjedhje, por edhe një qeveri, e cila do të na nxijë jetën për ato shtatë muaj të cilat na presin deri në zgjedhje.

Në anën tjetër Shkëlzen Maliqi vlerëson se Kuvendi i LDK-së ishte reflektim i dëshirës së dy krahëve për të marrë në drejtim partinë, por pavarësisht se njëri krah humbi dhe tjetri fitoi sipas tij, asnjëri krah nuk do të jetë megjithatë një parti aq të fuqishme siç ishte deri dje LDK-ja.

"Krahu i Fatmir Sejdiut ndoshta mund të llogarisë që të mbledhë një pjesë të konsiderueshme të votës së deritashme. Por edhe krahu tjetër nëse ndahet mund të ketë një përqindje të konsiderueshme", thotë Shkëlzen Maliqi.

Sidoqoftë analistët në asnjë moment nuk i shohin zhvillmet e të shtunës në LDK- si një befasi. Sipas tyre të dy krahët kanë qenë të përgatitur për t'i spastruar rradhët nga rivaliteti dhe këtë e bëri krahu, i cili fitoi zgjedhjet, madje edhe me çmimin e tillë që e çon partinë nga ndarja e saj.



XS
SM
MD
LG