Ndërlidhjet

BeH: VIZA PËR KOSOVARËT ME PASAPORTA TË UNMIK-ut


MARIJA ARNAUTOVIÇ

Pasaportat e UNMIK-ut trajtohen njëlloj si pasaportat e vendeve të tjera që u duhet vizë për të hyrë në Bosnje Hercegovinë, thotë Ministria e Jashtme në Sarajevë.
Por kryetari i bashkësisë së shqiptarëve në Bosnje Hercegovinë thotë se të gjithë qytetarët nga Kosova nuk trajtohen njësoj.

Qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta të UNMIK-ut mund të hyjnë në Bosnje Hercegovinë, por u nevojitet vizë. Vizat lëshohen në ambasadën e Bosnjes në Shkup. Vetëm në këtë ambasadë, qytetarëve të Kosovës u janë lëshuar mbi 300 viza, pohon Nebojsha Rekoe, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Sarajevë.

"Sa i përket hyrjes në Bosnje Hercegovinë, pasaportat e UNMIK-ut trajtohen njëlloj si pasaportat e vendeve tjera, të cilave u nevojitet vizë për hyrje në Bosnje Hercegovinë", thotë Rekoe.

Kryetari i bashkësisë së shqiptarëve në këtë shtet, Muharrem Zejnullahu, thotë se problem i veçantë paraqet fakti se Bosnje Hercegovina nuk ka përfaqësi diplomatike në Prishtinë.

"Kështu, qytetarët e Kosovës që posedojnë këto dokumente udhëtimi, janë të detyruar të udhëtojnë deri në Shkup, që në ambasadën tonë të aplikojnë për viza. Por edhe aty gjithmonë duhet të kenë një ftesë për të udhëtuar në Bosnje Hercegovinë, qoftë nga ana private apo ajo afariste. Ky është problemi më i madh. Në bashkësinë tonë gjithashtu vijnë shumë ankesa nga shqiptarët që jetojnë këtu, sidomos për rastet kur të afërmit e tyre nuk trajtohen mirë gjatë kalimit të kufirit", thotë Muharrem Zejnullahu.

Me vendimin e njëjtë që parasheh lëshimin e vizës, parashihen edhe lehtësime për ata që kanë pasaporta të UNMIK-ut. Kur bëhet fjalë për ndonjë rast urgjent, viza mund të lëshohet edhe në ndonjë përfaqësi tjetër konsullaro-diplomatike të Bosnje Hercegovinës në botë, pohon zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nebojsha Rekoe.

"Në rastet e vizitave zyrtare, tubimeve, konferencave ndërkombëtare apo garave sportive, në të cilat marrin pjesë persona me pasaporta të UNMIK-ut, vizat mund të sigurohen edhe gjatë hyrjes në Bosnje Hercegovinë, pra në vendkalimin kufitar. Por kjo vlen vetëm për rastet e paralajmëruara më parë që kanë marrë miratimin paraprak", thotë Rekoe.

Megjithatë, në bashkësinë e shqiptarëve thonë se për shqiptarët është shumë problematik vendkalimi kufitar i Bosnje Hercegovinës, sepse masat hyrëse për ata janë ashpërsuar. Ata thonë se me vetë faktin e vendosjes së regjimit të vizave, Bosnje Hercegovina nuk i trajton njësoj të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse është bërë klasifikimi i atyre që kanë dokumenta udhëtimi të Serbisë dhe udhëtojnë pa viza, dhe i atyre që kufirin e kalojnë me pasaportën e UNMIK-ut.


XS
SM
MD
LG