Ndërlidhjet

KUADROT VENDORE DO TË PËRGATITEN PËR IDENTIFIKIMIN E TË PAGJETURVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës së shpejti do të përgatisë kuadrot e nevojshme për të marrë të gjitha kompetencat nga UNMIK-u në punë të identifikimit të personave të pagjetur, tha sot Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Jonuz Salihaj. Ai i bëri këto komente pas takimit të parë të komisionit ndërministror të qeverisë së Kosovës për personat e pagjetur, me ç’rast tha se qeveria është plotësisht e përkushtuar për zgjidhjen e këtij problemi dhe vetë pjesëmarrja e ministrave kryesorë në këtë këshill tregon seriozitetin e qeverisë në këtë drejtim.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, prioritet i parë në punë të identifikimit të personave të pagjetur do të jetë krijimi i kuadrove vendore. ”Nëse ju keni të drejtë të identifikoni, por nuk keni kuadro, ju nuk mund ta bëni këtë”, tha ministri Salihaj.

"Ne kemi marrë kohëve të fundit disa kompetenca për identifikimin e varrezave masive, por ende i kemi kompetenca të përziera, sepse stafin për të bërë ekshuminin e ka UNMIK-u. Ajo çka është e jona dhe të punojmë sa më shpejt të jetë e mundur është që vendorët t'i aftësojmë me donacione të ndryshme, që ne të kemi kuadrin tonë", tha zoti Salihaj.

Albert Moskoviç, shef i departamentit të drejtësisë në UNMIK, tha se
takimi demonstroi përkushtimin e qeverisë për çështjen e identifikimi të personave të pagjetur:
"Ne të gjithë punojmë së bashku për të qenë të suksesshëm, familjet të cilat janë të pikëlluara duhet ta shohin progresin që po bëhet," tha zoti Moskoviç.

Katherine Bromberger, kryesuese komisionit ndërkombëtar për persona të pagjetur tha se ishte shumë e lumtur që po shihte lëvizje përpara në këtë proces. Ajo tha se komisioni që ajo përfaqëson mbështeste fuqishëm krijimin e komisionit ndërministror për të pagjeturit.

Ndërkaq më herët gjatë ditës qeveria britanike përmes një donacioni prej 200 mijë eurosh ka ndihmuar zyrën për persona të pagjetur dhe forenzikë në Prishtinë. David Blunt, shef i zyrës britanike në Prishtinë, tha se për të ndërtuar një të ardhme të re së pari duhen shëruar plagët e vjetra:

"Kjo ndihmë përbën pjesë të rëndësishme të mbështetjes së madhe që qeveria britanike po u jep të gjitha bashkësive në Kosovë. Kjo na ndihmon të merremi edhe me këto histori të individëve, sepse shumë komunitete janë të prekura nga fati i personave të zhdukur, shqiptarë, serbë por edhe të tjerë," tha Blunt.

Në fund të muajit do të mbahet edhe një takim i komisionit ndërministror të qeverisë së Kosovës për personat e pagjetur.
Sipas shënimeve të organizatave që merren me të pagjeturit, gati 2 mijë shqiptarë dhe disa qindra serbë ende konsiderohen të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë.
XS
SM
MD
LG