Ndërlidhjet

logo-print

BERISHA:"NDARJET NË LDK NUK RREZIKOJNË QEVERISJEN NË KOSOVË"


Ibrahim BERISHA, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, si i vlerësoni zhvillimet në Kuvendin e gjashtë zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës?

IBRAHIM BERISHA
Nuk janë zhvillime të befasueshme. Është një proces real që do të duhej të ndodhte në LDK, pasi që kriza në këtë parti që në fakt ende bart në vete elemente të lëvizjes, është refleksion i një krize shumë më të gjatë, më të lartë, më të thellë dhe shumë më komplekse, sesa duket.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, po si do të reflektohen përgjithësisht në procesin nëpër të cilin po kalon Kosova këto zhvillime në LDK dhe ato që priten?

IBRAHIM BERISHA
LDK-ja pavarësisht forcës reale që e ka mbështetur në votën e fundme të qytetarëve të Kosovës, nuk e ka qeverisur Kosovën. Ka qenë pjesë e koalicionit dhe jo bartës i qeverisjes së koalicionit, kështu që në këtë koncept, realisht ajo nuk rrezikon procesin e qeverisjes, por mund të ndryshojë pozitivisht nëse reflekton mbi dështimet që janë paraqitur në këto vitet e fundit në qeverisje.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbështetur në ndarjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në pozicionimet edhe të bartësve të funksioneve të ndryshme, çfarë mund të pritet ose a mund të pritet ndonjë lëvizje brenda qeverisë së Kosovës?

IBRAHIM BERISHA
Realisht, këtu kemi të bëjmë me një anëtarësi, që është anëtarësia e LDK-së dhe me lidership që kryesisht zotëron ose synon të zotërojë privilegje. Pra, fjala është më shumë për pozicionime politike tash, për të realizuar më vonë pozicionime qeveritare. Por, mund të ndikojë kjo në pozicionime, mund të ndikojë në rrjedhat e mëtejshme, por unë mendoj se gradualisht mund të reflektojnë të gjithë në këto procese, pasi realisht në këtë proces askush nuk mund të dalë fitues i fuqishëm dhe të dyja palët dalin humbëse, kështu që tash për tash mbetet që vetë të vendosin se cilën rrugë do ta zgjedhin.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i shihni të qëndrueshme institucionet e Kosovës, duke pasur parasysh se Lidhja Demokratike është partia më e madhe?

IBRAHIM BERISHA
Këtë po e them: në këtë proces kam qenë gjithmonë ithtar i asaj që qeveria, ekzekutivi të jetë e strukturuar nga të gjitha forcat reale politike në Kosovë. Mendoj se një qeveri që përfshin të gjithë spektrin e fuqishëm politik, në këtë moment posaçërisht dhe në procesin passtatusor është jetik për Kosovën dhe sa më shumë që të zgjatet kjo amulli qeverisëse, po shihet që Kosova të hyjë në procese që janë vështirë të parashikueshme dhe të kontrollueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, duke qenë një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si e shihni të ardhmen e saj?

IBRAHIM BERISHA
LDK-ja ka vetëm një mundësi, ose të transformohet thellësisht dhe të kthehet në një parti moderne qytetare, ose do të mbetet si një gjysmëdinosauri i cili edhe një kohë mund të mbetet gjallë, por jo me forcë reale. Pra, LDK-ja ka një shans të madh transformimit të thellë, në mënyrë që të zërë një pozicion elit në politikën e Kosovës, bashkë me dy-tri parti të tjera dhe të jetë bartëse e transformimit të Kosovës. Transformimi i LDK-së do të thotë edhe transformim i Kosovës. Pasi që s’ka pasur transformim të kësaj partie, s’ka pasur as transformim të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG