Ndërlidhjet

SOLTROM: PRANIA E ARDHSHME NDËRKOMBËTARE DO TË KETË TË DREJTËN E NDËRHYRJES


Albana Isufi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu thotë se Kosovës i duhet një prani e lehtë ndërkombëtare civile pas përcaktimit të statusit përfundimtar. Por, ai thekson se nuk duhet, që të ketë përsëritje të UNMIK-ut, apo përsëritje të misionit të Bosnjës.

“Qëllimi kryesor i institucioneve të Kosovës, i ekipit të unitetit, është që Kosova të funksionojë në plotni në gjithë shtrirjen territoriale të saj. Institucionet e Kosovës të kenë efektin e vet në realizimin e misionit që kanë në territorin, në hapësirën e përgjithshme të Kosovës”, tha Sejdiu.

Presidenti Fatmir Sejdiu kërkon që institucionet e Kosovës pas statusit të kenë shtirje të plotë edhe në pjesën veriore të Kosovës, në të cilën nga paslufta vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele serbe. Presidenti kërkon ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare që të sanohet kjo gjendje.

“Në këtë kuptim ne dëshirojmë që integriteti i garantuar i Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, të jetë po integritet i shtrirjes së plotë funksionale të institucioneve të Kosoëvs dhe i ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare, edhe në këtë pjesë të ndjeshme të Kosovës për ta futur në procesin e integrimit”.

Presidenti Sejdiu thotë se prania e ardhshme ndërkombëtare duhet të përcaktohet në mënyrë shumë të qartë, dhe të mos ketë ambiguitete.

Torbjorn Solstrom i dërguar special i BE-së në Kosovë ka sqaruar komponentat e pranisë së ardhshme ndërkombëtare.

“Do të jetë një Zyrë Ndërkombëtare Civile, që do të ketë rol të veçantë në monitorimin e marrëveshjes së statusit, misioni i BE-së në fushën e sundimit të ligjit, një angazhim substancial të OSBE-së, një prani ndërkombëtare ushtarake të siguruar nga NATO, dhe e pesta dhe më e rëndësishmja, një angazhim serioz të Komisionit Evropian për ndërtimin e kapaciteteve, të Bankës Botërore, UNDP dhe të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë”, thotë Torbjorn Solstrom.

Ai siguron se prania e ardhshme ndërkombëtare do të jetë shumë më ndryshe sesa misioni i UNMIK-ut. Ajo sipas tij do të jetë më e kufizuar në numër dhe pushtet. Ndërsa pasardhës të UNMIK-ut sipas tij do të kenë institucione të zgjedhura të Kosovës. Megjithatë, edhe prania e ardhshme do ta ketë fuqinë e ndërhyrjes.

“Marrëveshja për statusin do t’i japë të drejtën pranisë ndërkombëtare, që të intervenojë me qëllim që të pengojë thyerjen e marrëveshjes dhe me qëllim që të pengojë minimin e sundimit të ligjit. Por, ndryshe nga situata e sotme në Kosovë dhe nga ajo në Bosnje, kjo fuqi e intervenimit do të definohet qartë dhe do të jetë e kufizuar”, thotë Solstrom.

Por, lideri i Ora-s, njëherësh anëtar i ekipit negociator Veton Surroi mendon se prania e ardhshme ndërkombëtare, e cila sipas tij iu është kushtëzuar kosovarëve, për nga kapacitet ndërhyrës do të jetë analoge me atë në Bosnje.

“Do të ketë ndërhyrje në procesin zgjedhor. Ne do të mund të zgjedhim njerëz në administratën lokale dhe atë qendrore por, nëse ata njerëz nuk e përfillin marrëveshjen e statusit, ata do të mund të ndërrohen nga ana e administratës së ardhshme ndërkombëtare”, tha Surroi.

Por, sa duan liderët kosovarë që të kenë një pavarësi dhe sovranitet të plotë në Kosovë. Aleks Anderson nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka një përgjigje për këtë.

“Ne kemi në njërën anë retoriken publike ne Kosovë që flet për një pavarësi të plotë, por retorika private njeh një varësi, dhe madje edhe mirëpret një varësi të bashkësisë ndërkombëtare dhe në veçanti të BE-së”, thotë Aleks Anderson.

Ndërkohë, koordinatori i grupeve punuese të ekipit të unitetit Blerim Shala kërkon që sovraniteti i Kosovës të përcaktohet qartë pasi që të jetë vendosur prania ndërkombëtare në Kosovë. Ai kërkon që sovraniteti i Kosovës të mos mbikqyret më edhe nga Serbia, siç ka ndodhur nën misionin e UNMIK-ut.

“Kompromise të tilla më nuk duhet të lejohen. Ky duhet të jetë një pozicion vendor dhe ndërkombëtar, sepse në ato rrethana është i pashmangshëm dështimi i Kosovës dhe i pranisë ushtarake dhe civile. Në atë rast Kosova që nga ditët e para të statusit të saj do të ballafaqohet me një krizë të thellë politike dhe të sigurisë. Nisja e jetës së një shteti me një krizë të tillë mund të lërë pasoja afatgjatë për Kosovën dhe shoqërinë e saj”, tha Shala.

Ndërkohë, Aleks Anderson thotë se në mesin e zyrtarëve të UNMIK-ut vërrehen rezerva për të dorëzuar tek institucionet kosovare përgjegjësitë që kanë të bëjnë me administrimin civil. Ndryshe, Aleks Anderson u bën thirrje kosovarëve që t’i kushtojnë me shumë rëndësi arsimimit të elitave të reja që do të udhëheqin me shtetin në të ardhmen.

Të gjitha këto komente u bënë në konferencën “Statusi pas statusit” të organizuar nga Forumi 2015.

XS
SM
MD
LG