Ndërlidhjet

logo-print

QYTETARËT ME INTERESIM KANË NDJEKUR SEANCËN E KS TË OKB-SË


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Mbledhja e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga qytetarët e Kosovës është përcjellë me vëmendje të madhe. Të tre televizionet kombëtare i kanë transmetuar drejtpërsëdrejti diskutimet në këtë mbledhje.

Shaban Arifaj, redaktor përgjegjës në radion publike Radio Kosova tha se debati i zhvilluar në këtë mbledhje dëshmon se Kosova gjendet para zgjidhjes së statusit të saj.

"Kjo u pa edhe nga diskutuesit e shumtë përveç vendeve të cilat dihen se nuk mbështetin zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës. Por po them se angazhimi i vendeve të tjera shumicë konsiston në atë se çdo shtyrje e statusit nuk do të ishte e mirë, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin", tha zoti Arifaj.

Izet Zhuja, qytetar nga Prishtina, mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e vlerëson si shenjë pozitive.
"Po ka qenë mjaft e mirë, miqtë tanë janë dalluar natyrisht edhe ata kundërshtarët. Besoj se kjo ka për të qenë e fundit dhe shpresoj që pavarësia të vijë bash ashtu si e kanë paramenduar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, bashkë me Ahtisarin", tha zoti Zhuja.

Albert Ademi thotë se mbledhja e mbrëmshme është një nga mbledhjet më të mira, ku i është dhënë përkrahje procesit nëpër të cilin po kalon Kosova.

"Këtu bën përjashtim Rusia dhe mund të them ndoshta ka lëvizje, në krahasim me raportet e kaluara të tyre, por megjithatë qëndron thuajse në të njëjtën vijë. Ndërsa kur kemi parasysh Britaninë e Madhe, unë mendoj se Britania ka qenë ajo që ka qenë më e qarta dhe e ka thënë atë thelbin çfarë i nevojitet shumicës në Kosovë", tha zoti Ademi.

Për Ismet Beqirin nga Vushtria interesante ka qenë paraqitja e Britanisë së Madhe. Patjetër, jo njëlloj por do të ketë plot sepse përmbushim të gjitha standardet, kriteret", thotë zoti Beqiri.
Ndërkaq duke folur për vendet të cilat kanë mbajtur një qëndrim më të rezervuar sikurse ishte Rusia dhe Greqia, Shaban Arifaj është i mendimit se me kalimin e kohës së zgjidhjes së statusit, edhe këto vende do të gjejnë një kompromis.

"Sepse kanë interesat e tyre, në mos në aspektin ekonomik, në aspektin material që të përfitojnë diçka nga kushtëzimet e tyre. Kështu që fundi i fundit, në momentin kur do të vijë dhe zgjidhja e statusit unë shfaq mendimin tim dhe besoj fuqishëm se edhe këto vende do të jenë pro zgjidhjes së statusit të Kosovës, pro pavarësisë".

XS
SM
MD
LG