Ndërlidhjet

logo-print

NË MITROVICË KA SHUMË KONTESTE BANESORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në rajonin e Mitrovicës, ashtu si në gjithë Kosovën e pasluftës ka një numër të madh të pronave që janë uzurpuar dhe shfrytëzohen nga persona të tjerë dhe jo nga pronarët e ligjshëm.

Kështu, në pjesën veriore të Mitrovicës, një numër serbësh jetojnë në banesa apo shtëpi të huazuara ose të uzurpuara të shqiptarëve, ndërkohë që një pjesë e tyre kanë banesat në pjesën jugore, por nuk mund të jetojnë në to, pasi janë uzurpuar nga shqiptarët, ose edhe i kanë shitur. Në situatë krejt të njëjtë janë edhe shqiptarët që jetojnë në pjesën jugore dhe kanë banesat në veri.

Në vitin 2002 në pjesën veriore të Mitrovicës është hapur zyra e Drejtoratit për çështje banesore dhe pronësore, e njohur si Habitat, qëllimi i së cilës është kthimi i pronave pronarëve të ligjshëm.
Shefi i zyrës së Habitatit për rajonin e Mitrovicës, James Nunan tha se numri i banesave të uzurpuara në veri është shumë më i madh sesa ai në jug:

"Në pjesën jugore janë të uzurpuara rreth 300 banesa, përderisa në pjesën veriore ky numër është shumë më i madh, rreth 700," tha Nunan, sipas të cilit arsyeja ndoshta është se një numër pronarësh serbë tashmë i kanë shitur banesat e tyre që i kanë pasur në jug, ndërsa shqiptarët kryesisht nuk i kanë shitur banesat e tyre në veri.

Nunan tha se që nga fillimi i punës së Habitatit e deri më tash, janë shpërngulur rreth 100 familje që kanë jetuar në banesa të uzurpuara, ndërsa ai numër është më i vogël në pjesën jugore të qytetit. Zoti Numan ka shpjeguar për radion Evropa e Lirë edhe procedurat që ndërmerren në rastet kur një familje ka uzurpuar një banesë për shkak se edhe banesa e tij është e uzurpuar nga dikush tjetër:

"Ekziston një numër lëndësh, ku ne kemi situatë të tillë. Çështja është se do të ishte shumë më lehtë sikur ata persona të kishin uzurpuar shtëpitë e njëri-tjetrit dhe kjo do të ishte një marrëveshje private që do të ndreqte punët përkohësisht," tha Nunan, duke shpjeguar se në çdo situatë tjetër, secili ka të drejtë për pronësi mbi pronën e tij.

Sidoqoftë, zoti Nunan tha se deri më tash asnjëherë nuk ka ndodhur që familjet pas marrjes së vendimit për shpërngulje nga Habitati të kenë mbetur në rrugë:

"Asnjëherë, asnjë familje nuk është nxjerrë në rrugë pa i gjetur një vendstrehim tjetër, pavarësisht se kanë jetuar në banesa të uzurpuara," tha Nunan, duke shpjeguar se këto raste mund të kenë ndodhur vetëm nëse familja ka pasur një pronë dhe e ka shitur ate duke vazhduar të jetojë në pronë të uzurpuar, ose në rastet kur dikush ka uzurpuar disa banesa dhe Habitati e ka nxjerrë nga njëra prej tyre.

Në ato raste, shpjegoi Nunan, nuk i është siguruar tjetër strehim. Sidoqoftë, zoti Nunan mendon se puna që ata bëjnë nuk është aspak e lehtë, pasi ata u janë ekspozuar kërcënimeve nga personat që kanë refuzuar të respektojnë vendimet për të liruar banesat ose pronat e tjera të uzurpuara, mirëpo, falë bashkëpunimit me Shërbimin Policor të Kosovës nuk ka pasur probleme të mëdha.



XS
SM
MD
LG