Ndërlidhjet

BALLKANI DHE ZGJERIMI- TEMAT QË DOMINUAN NË SAMITIN E BE-SË


Augustin Palokaj, Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar sot samiti i Bashkimit Evropian, i fundit nën kryesimin e Finlandës dhe në të është diskutuar më së shumti për Ballkanin perëndimor dhe procesin e zgjerimit të BE-së.

Shefat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë mbështetje të plotë punës që është duke bërë i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari dhe në konkluza janë shprehur se do të dëshironin që Kosova të ketë një status sa më të qartë, në mënyrë që edhe BE-ja të mund të reagojë në mënyrë të shpejtë dhe të unifikuar ndaj statusit.

Po ashtu shefat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë shprehur gatishmërinë e BE-së që të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë edhe në praninë ndërkombëtare në të ardhmen.

Në fund të takimit, kryeministri i Finlandës Matti Vanhanen, i cili ka qenë mikëpritësi dhe e ka kryesuar këtë takim, ka thënë se shefat e shteteve i kanë shprehur mbështetje të plotë Martti Ahtisaarit, por përgjegjësia për të marrë vendim për Kosovën i takon Kombeve të Bashkuara, pasi Ahtisaari të dalë me propozimin e tij.
"Unë jam i sigurtë se pas vendimit të Këshillit të Sigurimit, do të ketë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur nga ana e Bashkimit Evropian", ka thënë Vanhanen.

Përndryshe, mesazhi kryesor nga takimi, ashtu si e kanë lexuar dhe kryetarët dhe kryeministrat e shteteve anëtare, por edhe kryetari i Komisionit Evropian Barroso është që në të është rifilluar një konsensus për vazhdimin e procesit të zgjerimit.

Ballkanit perëndimor dhe të gjitha shteteve që aspirojnë anëtarësim në BE, dhe janë të gatshëm të respektojnë kriteret për hyrje, u garantohet se dyert i kanë të hapura, ka thënë kryesuesi i radhës i Bashkimit Evropian Matti Vanhanen.

Ndërsa Jose Manuel Barroso është shprehur se zgjerimi ka qenë i suksesshëm deri tani, që edhe e ka forcuar Bashkimin Evropian, prandaj duhet të bëjmë çmos që edhe vazhdimi i zgjerimit dhe valët e tjera të zgjerimit të BE-së, po ashtu të kenë ndikim pozitiv dhe të kenë përfitime si për shtetet e vjetra, ashtu dhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Që të gjithë të pranishmit e kanë konsideruar procesin e zgjerimit si një mjet shumë të rëndësishëm për të stabilizuar edhe rajonin e Ballkanit perëndimor, që në këtë moment, pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë, po mbetet si një vrimë, e cila ende nuk është integruar në BE, por e cila po ec dalëngadalë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Shumë liderë të shteteve të Bashkimit Evropian kanë nënvizuar se për Serbinë mbetet e hapur perspektiva evropiane, por po ashtu mbetet edhe kushtëzimi se ky shtet duhet të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës. Kështu janë shprehur se presin që pas zgjedhjeve atje më 21 janar, te formohet një qeveri demokratike, e cila do të dëshmojë me vepra që është e gatshme të përmbushë obligimet ndërkombëtare, në mënyrë që edhe Serbia të mund të ecë drejt integrimeve evropiane.


XS
SM
MD
LG