Ndërlidhjet

F. HYSAJ: KUVENDI I LDK-SË- KUVENDI I NDRYSHIMEVE TË MËDHA


Fadil Hysaj, një ndër themeluesit e LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysaj, si i vlerësoni zhvillimet në Kuvendin e gjashtë
zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës?

FADIL HYSAJ
Në shumë plane mendoj se ky Kuvend do të jetë kuvend i ndryshimeve të mëdha që duhet të ndodhin, jo vetëm në kuadër të kësaj partie, që është partia më e madhe politike në Kosovë, por ndryshimet që do të ndodhin përgjithësisht në spektrin politik në Kosovë. Këto do të kushtëzohen më pas edhe me ndryshimet e mëdha, që do të jenë pasojë e statusit të Kosovës; ndryshime në konceptin e marrjes me politikë; përgjegjësitë që duhet t‘i ketë një politikan; një lider; deri te shtrirja horizontale dhe vertikale në ndërtimin e pushtetit dhe shtetit.
Deri më tash LDK ka qenë një parti që ka funksionuar si një piramidë, që ka përfshirë një gamë të madhe njerëzish, që janë marrë me politikë, me një koncept, që ka qenë më shumë një lëvizje politike sesa parti politike, që ka pasur emblemën e Ibrahim Rugovës si lider.
Me vdekjen e liderit është ndier kriza e personalitetit politik që do ta zëvendësonte këtë figurë dhe natyrisht është pritur se do të ndodhë një lloj çarje, një lloj shpërbërje e tillë. Por, jo në këtë përmasë dhe dimension, që fatkeqësisht ndodhi në prani të opinionit. Kjo lloj shpërbërje, apo kjo lloj çarje në dy pjesë, mendoj se është fillimi i një ndryshimi të madh që duhet të ndodhë në këtë parti, e cila, nëse nuk menaxhohet si duhet, mund të ketë më pas pasoja të një shpërbërjeje të ardhshme, prishje të të gjithë strukturës së tashme, e cila edhe ashtu është shumë e brishtë.
Dhe ka krizë të brendshme, jo më në kuptimin e mungesës së ideve, por në kuptimin e personaliteteve të mëdha që do të kishin fuqi integruese dhe autoritet që ta mbanin bashkë gjithë atë masë njerëzish që merren me politikë, shpesh jo vetëm për t’i shërbyer çështjes, por duke i shërbyer vetvetes dhe shpesh duke qenë të joshur nga etja për pushtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysaj, Kosova është në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar. Si do të reflektohen përgjithësisht në këtë proces këto zhvillime në LDK?

FADIL HYSAJ
Po mendoj se mund të reflektojnë në kuptimin e dobësimit të kohezionit politik, që duhet ta ketë në këtë moment elita politike e Kosovës. Ma merr mendja që është fat i mirë që ekziston një ekip negociator, ku së paku në dukje të parë duke se ekziston një unitet, që mendoj se më tepër është një unitet si pasojë e presionit publik, pasi që popullata nuk do të falte ndonjë politikan të pandërgjegjshëm në momentet kyqe nëpër të cilat po kalon Kosova.
Dhe ma merr mendja se ky ndërgjegjësim, përveç pasojave pozitive e një presioni publik, mendoj se është një ndërgjegjësim se ky është një moment historik, ku nuk është me rëndësi më se kush prej cilit krah të politikës apo prej cilës parti vjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur zëra se duke marrë parasysh ndarjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe pozicionimet e bartësve të funksioneve të ndryshme, mund të priten lëvizje brenda qeverisë së Kosovës. Çfarë mendoni ju?

FADIL HYSAJ
Do të kishte qenë mirë që këto ndryshime të kishin ndodhur edhe më herët, jo ndoshta edhe për këtë shkak, por kjo është edhe një arsye më e madhe që ndryshime të ketë. Ashtu çfarë është vërtetë joautoritative, nuk ka personalitete që janë të afta dhe të gatshme për të përballuar situatat në të cilat po kalon Kosova. Nëse ata njerëz kanë qenë me një mandat politik që kanë përfaqësuar një forcë politike, në momentin kur ajo forcë ndahet në dysh, është problematike se si do të realizohet mandati, sepse duhet të ketë mbështetje në Kuvend. Nëse nuk ka mbështetje në Kuvend, natyrisht se asnjë ligj nuk mund të kalojë pa probleme të mëdha dhe ajo është qeveri jofunksionale. Ajo nuk mund të kryejë mandatin për çka ekziston.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysaj, ju ishit një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e shihni të ardhmen e saj?

FADIL HYSAJ
Nuk dëshiroj të jetë ashtu si e shoh. Por, ma merr mendja se ky proces, nëse vazhdon me trendin e tashëm të mungesës së tolerancës dhe opsioneve që do të mund të tejkalonin gjendjen, mund të shkaktojë një situatë ku kjo parti shumë lehtë të kalojë në opozitë, sepse me këto resurse që ka tash, me këtë psikologji dhe sjellje që kemi parë përmes mediave, është parë se shumëçka është ndryshe nga ajo që kanë menduar njerëzit.
Mendoj se vetëm LDK-së elektorati nuk do t’ia falë atë lloj sjellje, sepse LDK ka pasur autoritet të ndërtuar në një politikë paqësore. Aty është menduar se aty ka njerëz, të cilët nuk e duan shumë pushtetin, por që janë idealistë, në kuptimin se ata mendojnë të krijojnë një shtet të civilizuar ku ka shumë tolerancë , ku tjetrit i lejohet të mendojë edhe ndryshe. Por, kjo lloj fotografie që është bartur te njerëzit tash mund të jetë fatale për të ardhmen e LDK-së, nëse nuk ndërmerret diçka e shpejtë që të ndryshohet ky imazh.

Intervistoi Albana Isufi

XS
SM
MD
LG