Ndërlidhjet

B MUSTAFAJ: VETËM PAVARËSIA E KOSOVËS PRODHON STABILITET NË RAJON


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shqipëria jo vetëm që mbështet, por edhe pret që pavarësia e Kosovës të jetë zgjidhja që do të propozohet nga ana e presidentit Ahtisaari, ka pohuar sot në Prishtinë, shefi i diplomacisë shqiptare, Besnik Mustafaj. Ai ka filluar sonte vizitën tre ditore në Kosovë, ku fillimisht është pritur nga presidenti Fatmir Sejdiu, si dhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj.

Shefi i diplomacisë shqiptare tha se kishte planifikuar vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë për muajin dhjetor, duke besuar se do të vinte në kohën kur Ahtisaari do të prezantonte propozimin e tij për pavarësinë e Kosovës. Por, sidoqoftë, Mustafaj tha se pret që edhe pas 21 janarit, opsioni i pavarësisë do të jetë zgjidhja që Ahtisaari do t’u prezantojë palëve, qoftë kjo edhe një pavarësi e kushtëzuar:

“Unë jam i njohur si pro-pavarësisë dhe kam thënë se të gjitha tjerat bien rrugës, pra është shumë e rëndësishme që të arrijmë qoftë edhe te ajo pavarësia e kushtëzuar, sepse e para është pavarësia”, tha Mustafaj.

Në anën tjetër, preisidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se mbështetja e Tiranës për Kosovën është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë fazë të përcaktimit të statusit. Sejdiu tha se e kishte njoftuar shefin e diplomacisë shqiptare lidhur me procesin e statusit dhe pritjet e palës kosovare nga ky proces:

“Ishte një shtyrje me arsyet e veta që i kemi dëgjuar, por e besoj që presidenti Ahtisaari do të jap propozimin e vet që në fund të janarit të vitit 2007 dhe për pak kohë të hyet në fazën e finales së madhe dhe finales së mirë, që është ai i interesit të rëndësishëm për popullin shqiptar si shumicë në Kosovë, por po ashtu edhe për krijimin e Kosovës si faktor i rëndësishëm i stabilitetit rajonal”, theksoi presidenti Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq Besnik Mustafaj tha po ashtu se çështja e Kosovës kishte dominuar agjendën e tij diplomatike në takime të shumta me përfaqësues ndërkombëtarë, duke veçuar këtu sidomos takimet me Moskën zyrtare. Ai tha se është përpjekur t’i argumentojë qëndrimet e tij para diplomacisë ruse, pse pavarësia e Kosoëvs është zgjidhja më e drejtë dhe e domosdoshme për qetësinë dhe stabilitetin e rajonit:

“Dialogu i qeverisë shqiptare me qeverinë ruse ka qenë intensiv. Më shumë jam takuar me ministrin Lavrov sesa me presidentin Sejdiu, për shembull, dhe kjo për arsye se në Shqipëri, si fqinji kryesor i Kosovës, si vendi më i interesuar për stabilitet në rajon, jemi të bindur se vetëm pavarësia e Kosovës prodhon stabilitet në rajon dhe ngjarjet e vitit 1999 kanë treguar se vendi më i infektuar nga çdo destabilizim i Kosovës është Shqipëria”, është shprehur ministri Mustafaj.

Ndihmën e Tiranës për Kosovën në rrafshin diplomatik e ka çmuar lart edhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj:

“Ne gjithmonë shfrytëzojmë rastin kur kemi takime të tilla, për të falënderuar shtetin dhe popullin shqiptar për çdo gjë që ka bërë në ndihmë për Kosovën, posaçërisht tash ndihmën diplomatike për të qartësuar te komuniteti ndërkombëtar dhe palët e interesuara se sa është e rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, zgjidhja e drejtë e statusit të Kosovës në përputhshmëri me vullnetin e popullit të Kosovës”, theksoi Limaj.

Ministri i jashtëm shqiptar do të qëndrojë në Kosovë deri të djelen. Gjatë kësaj vizite ai ka në agjendë të takojë dhe shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, kryeministrin Agim Çeku, kryetarin e Kuvendit Kolë Berisha, si dhe takime e vizita të tjera nëpër Kosovë.



XS
SM
MD
LG