Ndërlidhjet

UNICEF: DHUNA NË SHKOLLA SHKELJA MË E RËNDË E FËMIJËVE GJATË VITIT 2006


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Përdorimi i dhunës ndaj nxënësve nga ana e mësimdhënësve në shkollat e Kosovës, është shkelja më e rëndë e të drejtave të fëmijëve që është vërejtur gjatë këtij viti.

Robert Fuderich, shef i zyrës së Fondit Ndërkombëtar për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) në Kosovë, thotë se në bazë të një hulumtimi që ka bërë ky fond, është kuptuar se në Kosovë edhe më tej dhuna vazhdon të përdoret si mjet edukativ.

“Nuk mund të vëmë prioritete se cila të drejta janë më me rëndësi për fëmijët. Të gjitha janë me rëndësi dhe duhet të punojmë që t’i realizojmë këto të drejta, mirëpo ajo që kuptuam në këtë vit është çështja e dhunës nëpër shkolla”, tha zoti Fuderich, duke shtuar se nga studimi është kuptuar se fëmijët ende janë subjekt i dhunës dhe po ndëshkohen në forma të ndryshme qoftë në mënyrën fizike apo edhe psikike.

Praninë e dhunës nëpër shkolla e pohojnë edhe disa nxënës të shkollës fillore "Elena Gjika” në Prishtinë.
“Jam nxënës i klasës shtatë. Në klasën tonë jo, por kam dëgjuar se ka pas dhunë, arsimtari ia ka shkulur veshin nxënësit”, thotë Ylli Morina.

“Mua nuk më ka ndodhur, por kam dëgjuar se arsimtarët i rrahin nxënësit, ndonjë lëndim të madh jo, por vetëm rrahje të lehta”, thotë një nxënës tjetër Lumi.

Kreu i UNICEF-it në Kosovë Robert Fuderich, thotë se arsyet e përdorimit të dhunës mbi fëmijët nga ana e mësimdhënësve janë të shumta.

Por, sipas tij, arsimtarët duhet të jenë të trajnuar për këtë fushë dhe të gjejnë forma të tjera të komunikimit, në mënyrë që të eliminohet dhuna nga shkollat kosovare.

“Është me rëndësi që të përmendet se arsimtarët duhet të jenë të trajnuar dhe të edukuar për mënyrën se si të mënjanojnë dhunën dhe mos të përdorin këtë dukuri nëpër shkolla, por teknika të ndryshme komunikimi me fëmijët”, thotë zoti Fuderich.

Ai konsideron se barra kryesore për përmirësimin e të drejtave të fëmijëve i takon institucioneve vendore, konkretisht qeverisë së Kosovës.

Zoti Fuderich, thotë se për t’u ofruar shërbime më të mira fëmijëve kërkohen mjetet buxhetore. Sipas tij për këtë arsye, qeveria e Kosovës duhet patjetër të ndajë fonde për përmirësimin e të drejtave të fëmijëve për vitet e ardhshme.

“Çështja e statusit, rrugëve, energjetikës të gjitha janë më rëndësi, mirëpo qeveria po ashtu duhet të fokusohet edhe te çështja e fëmijëve dhe ta adresojë gjatë viteve që vijnë çështjen e të drejtave të fëmijëve”, thotë Fuderich.

Përdorimi i dhunës nëpër shkolla, sipas organizatave vendore që merren me të drejtat e fëmijëve, vazhdon të krijojë fëmijë të dhunshëm, rrjedhimisht edhe shoqëria e ardhshme e Kosovës mund të jetë e dhunshme.




XS
SM
MD
LG