Ndërlidhjet

SOLSTROM: PRANIA NDËRKOMBËTARE E PËRHERSHME, POR ME TJETËR NATYRË


Albana Isufi, Prishtinë

Zyra e ardhshme Ndërkombëtare Civile nuk do të jetë zëvendësim i UNMIK-ut, nuk do të jetë kopje e misionit ndërkombëtar në Bosnje dhe nuk do të përbëhet vetëm nga prania e BE-së, por edhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së.

Kështu thotë i dërguari i veçantë i Havier Solanës në Kosovë Torbjorn Solstrom. Por , kjo prani duket se nuk do ketë kufizim kohor.
“Komuniteti ndërkombëtar do jetë i pranishëm në Kosovë përgjithmonë. Por, natyra e angazhimit ndërkombëtar do të ndryshojë me kohën. Gjithmonë kemi thënë se BE nuk ka strategji dalëse nga Kosova, por vetem strategji hyrëse të Kosovës në BE. Ky është qëllimi ynë, ne duam që Kosova të përmbushë kriteret e Kopenhagës për t’u anëtarësuar në BE dhe mendoj se ju do të bëni një zgjidhje të mençur dhe t’i bashkoheni BE-së ”, thotë Torbjorn Solstrom.

Megjithatë, misioni i BE-së që do të mbikqyrë fushën e sundimit të ligjit në Kosovë duket të ketë mandat të caktuar.

Casper Klynge është kryesues i ekipit përgatitor të BE-së në Kosovë.
“Se sa gjatë do të jetë misioni i BE-së në Kosovë nuk e di, por ka diskutime nëse mandati i parë duhet të jetë prej 2 deri në 3 vjet dhe kjo do të ofronte kohë të mjaftueshme për t’u ndihmuar autoriteteve tuaja. Por, në fund të fundit janë autoritetet në Kosovë dhe progresi i caktuar që ata do të bëjnë për t’u siguruar se prania e misionit ndërkombëtar të jetë sa më e shkurtër që të jetë e mundur”, thotë Klynge.

Misioni i BE-së do të përbëhet nga 1 mijë deri në 1 mijë e 300 anëtarë. Rreth 1 mijë nga ta do të jenë policë, të cilët do të këshillojnë dhe mbikqyrin kolegët lokalë, si dhe do kenë rol ekzekutiv në hetimin e çështjeve specifike, si krimi i organizuar, apo korrupsioni.

“Po planifikojmë një mison për tërë Kosovën, duhet theksuar se pavarësisht çështjeve dhe zonave specifike, misioni do jetë për tërë Kosvën. Në fushën e drejtësisë po shikojmë të kemi një numër të kufizuar të prokurorëve dhe gjykatësve të cilët do të punonin së bashku me kolegët kosovarë, por do kenë edhe fuqi ekzekutive. Ne kemi paraparë edhe një njësi të vogël në dogana, ku do ketë monitorime, por edhe ndërhyrje. Në fushën e burgjeve ne do fokusohemi në menaxhimin, sigurinë e burgjeve, si dhe transportimin”, tha Klynge.

Por, pavarësisht kësaj mbikqyrjeje, Torbjorn Solstrom, thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron që të qeverisë Kosovën. Ai thotë se viti 2007 përveç se jete vit i statusit, do të jetë edhe vit i përgjegjësive të mëdha për institucionet e Kosovës.


XS
SM
MD
LG