Ndërlidhjet

KUVENDI NDËRPREU PUNIMET PËR MUNGESË KUORUMI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës i ka ndërprerë edhe sot punimet në mungesë të kuorumit. Kjo është hera e dytë që brenda dy ditësh, Kuvendi mbetet pa kuorumin e domosdoshëm për t’i vazhduar punimet.

Seanca u ndërpre si rrjedhojë e largimit nga seanca të deputetëve nga radhët e opozitës, përkatësisht PDK-së dhe mungesës së një numri të caktuar të deputetëve nga radhët e LDK-së. Ndërsa Kuvendi shqyrtonte miratimin e buxhetit për vitin 2007, opozita e cilësoi atë buxhet të varfërisë dhe braktisi sallën. Edhe ndërprerja e sotme e seancës së Kuvendit, u vlerësua se vjen si pasojë e zhvillimeve në LDK dhe ndarjes së saj në dy krahë, pasi që me largimin e opozitës, koalicioni nuk arriti të sigurojë shumicën e domosdoshme për të vazhduar seancën.

Jakup Krasniqi nga radhët e PDK-së, tha se qeveria ka humbur tashmë legjitimitetin dhe se ky buxhet nuk vlen të miratohet.

“Është buxhet i varfërisë, i padijes dhe i mjerimit të skajshëm. Për fatkeqësi edhe kategoritë që jetojnë në varfëri të skajshme nuk përfitojnë nga ky buxhet,” tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Alush Gashi, shef i Grupit parlamentar të LDK-së tha se buxheti me të vërtetë nuk i plotësonte nevojat e Kosovës, por ai tha se pavarësisht kësaj, gjendja nuk mund të ndryshohet dhe buxheti duhet të miratohet.

“Mundësitë buxhetore janë këto që janë. Jemi të vetëdijshëm se ky buxhet nuk i plotëson nevojat e qytetarëve, por kemi ardhur në përfundim se mundësitë buxhetore janë këto,” tha Gashi.

Mirëpo, gjendja në Kuvend ndryshoi me të larguar të deputetëve të PDK-së. Po ashtu, gjatë pauzës, një takim të veçantë zhvilloi dhe grupi politik i Nexhat Dacit, që përbëhet dhe nga disa deputet të kësaj partie në Kuvend. Krahu politik i Nexhat Dacit i ka quajtur sot jolegjitime Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Zgjedhja e organeve të reja, sipas Lulëzim Zenelit nga radhët e krahut politik të Dacit, ishte rezultat i skenarëve të përgatitura për diferencimin e figurave të LDK-së. Ndonëse ai tha se mbështeste një LDK unike, në rast se organet e reja të LDK-së, në krye më Fatmir Sejdiun injorojnë, sipas tij, interesat e anëtarësisë së LDK-së, atëherë ai nuk e përjashtoi dhe mundësinë e krijimit të një partie të re politike, me në krye Nexhat Dacin.

“Po zbatohet në mënyrë të plotë skenari i planifikuar shumë kohë më parë për ndarje dhe defaktorizim të LDK-së. Fatkeqësisht udhëheqja aktuale e LDK-së po e zbaton këtë skenar”, tha Zeneli.

Rrugëdalja nga kjo gjendje, sipas kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku mund të gjindet në marrëveshje me shefin e UNMIK-ut, si autoriteti kryesor në Kosovë, i cili mund të shtyjë për një kohë miratimin e buxhetit, përderisa Kuvendi të tejkalojë këtë bllokadë.

“Nëse nuk aprovohet ne do ta sigurojmë një funksionalitet të institucioneve tona. Është përfaqësuesi special, ai autoriteti final që mund të autorizojë përdorimin e këtij buxheti, për një kohë, për një muaj, derisa ne t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme që të aprovohet në Parlament. Pra nuk do të ketë mosfunksionalitet për shkak të buxhetit”, tha kryeministri Çeku.

Vazhdimi i seancës, ka sjellë deri të përsëritja e skenës së para dy ditëve, ku Kuvendi nuk kishte kuorum. Vetë kryetari i Kuvendit Kolë Berisha, tha se mungesa e kuorumit vjen dhe si rrjedhojë e përkrahjes së kësaj bllokade të punës së Kuvendit nga ana e një pjese të LDK-së. Ai i ftoi deputetët që të vazhdojnë seancën nesër, nëse Kuvendi do të sigurojë kuorumin.



XS
SM
MD
LG