Ndërlidhjet

KFOR-I DHE VENDORËT TË PËRGATITUR PËR SFIDAT E TË ARDHMES


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për sfidat e sigurisë me të cilat do të përballet në periudhën në prag të përcaktimit të statusit, por njëkohësisht është e gatshme të menaxhojë këto sfida, tha sonte kryeministri i Kosovës Agim Çeku, pas një takimi me shefin e UNMIK-ut Joachim Ruecker dhe me komandantin e forcës paqeruajtëse, gjeneralin Roland Kather.

Kryeministri Çeku ka numëruar sonte disa nga sfidat e sigurisë me të cilat mund të përballet Kosovës në periudhën e ardhshme:
"Duke marrë parasysh se vazhdimisht shohim përpjekje të Beogradit zyrtar, të autoriteteve të Serbisë për të gjetur mundësi për ta destabilizuar Kosovën, mundësinë që KEK-u të mos jetë në gjendje të ofrojë furnizim të qëndrueshëm gjatë dimrit, mandej në kohën kur Ahtisari do ta paraqesë propozimin e tij dhe pritjet e opinionit për të, të gjitha këto përbëjnë sfida të mëdha të sigurisë, të cilat ne duhet t’i menaxhojmë", tha kryeministri Çeku.

Kryeministri Çeku tha se në takimin e sotëm është dënuar shpërthimi në hekurudhë në afërsi të Vushtrrisë disa ditë më parë, si dhe paraqitja e personave të maskuar nëpër rrugë. Mirëpo, tha kryeministri Çeku, në bazë të informacioneve të deritashme, njerëzit të cilët paraqiten në anë të ndryshme të Kosovës me maska nuk janë të koordinuar, nuk janë të drejtuar nga një qendër dhe nuk janë të motivuar politikisht, ndërkohë që qeveria është e përgatitur për t’u përballur me çfarëdo sfidash:

"Të gjithë duhet të bëjnë përpjekje që Kosova të sillet deri te pavarësia në mënyrë dinjitoze dhe si fitues dhe pavarësia ta gjejë Kosovën si një vend stabil e funksional, me një unitet të fuqishëm politik dhe me institucionet e veta stabile dhe funksionale", tha kryeministri Çeku.

Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker tha se bashkëbiseduesit e sotëm janë pajtuar se institucionet e Kosovës janë të pjekura, se njerëzit e Kosovës janë të pjekur dhe i kanë kuptuar shumë mirë sfidat që kanë përpara. Kështu dhe janë në gjendje t'u përgjigjen këtyre sfidave në mënyrë shumë të përgjegjshme:

"Hapat e tjerë drejt statusit përfundimtar janë të qartë, presim të shohim propozimin e emisarit special, Marti Ahtisari menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi," tha Ruecker, sipas të cilit, zoti Ahtisari më pas do të konsultohet me të gjithë dhe pakoja do të dërgohet në Nju Jork.

Zoti Ruecker u shpreh i bindur se i gjithë ky proces po kuptohet shumë mirë nga populli i Kosovës, pasi bashkësia ndërkombëtare ka vullnet që të zgjidhë statusin përfundimtar të Kosovës.

Në anën tjetër, komandanti i forcës paqeruajtëse të NATO-s, gjenerali Roland Kather tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme:

"Gjendjen e sigurisë në Kosovë e shoh ashtu si kam dashur ta shoh dhe mendoj se njerëzit kanë filluar të kuptojnë të kuptojnë porosinë se nuk ka të ardhme me dhunë," tha Kather, për të shtuar se Kosova po kalon në një proces të thellë demokratik që kërkon kohë dhe durim, ndërsa KFOR -i është i përgatitur për këtë dhe për të mbështetur institucionet e Kosovës.








XS
SM
MD
LG