Ndërlidhjet

GNK: BE TË MBËSHTESË FUQISHËM PROPOZIMIN E AHTISARIT


Augustin Palokaj, Bruksel

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka publikuar sot një raport për Kosovën, në të cilin u bën thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të mbështesin fuqishëm propozimin e Marti Ahtisarit, për statusin e Kosovës.

Grupi me seli në Bruksel thotë se përpara janë disa muaj të vështrirë rreth statusit të Kosovës, duke patur parasysh ashpërsinë e qëndrimit të Rusisë lidhur me të ardhmen e Kosovës.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave nënvizon se si kurrë më parë është një reagim unik dhe i unifikuar i vendve të Bashkimit Evropian, që duhet të mbështesin fuqishëm propozimin e Ahtisarit. Presidenca gjermane e Bashkimit Evropian duhet t'i bashkojë të gjitha shtetet anëtare të BE-së në mbështetje të fuqishme për propozimet e Ahtisarit thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Po ashtu nënvizohet se bashkësia ndërkombëtare do të duhet t'i japë një mbështetje të fortë dhe të padyshimtë Marti Ahtisarit për të vazhduar procesin, dhe për të përfunduar në pjesën e parë të vitit që vjen.

Kështu ka thënë edhe Nicholas Whyte, drejtor për Evropën i GNK-së.
Propozimi i Ahtisarit duhet të vijë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi sepse janë në rritje frustrimet e shqiptarëve të Kosovës dhe durimit të tyre është duke i ardhur fundi, ka thënë Nicholas Whyte.

Po ashtu Grupi Ndërkombëtar i Krizave në këtë raport nënvizon se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë të qartë se nuk do të ketë më shtyrje të statusit të Kosovës. Edhe presidenca gjermane e BE-së ka lajmëruar se statusin e Kosovës do ta ketë prioritet në pjesën e parë të vitit 2007. Siç dihet prej 1 janarit deri në 30 qershor, Gjermania do ta ketë kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian.

Diplomatët gjermanë kanë sugjeruar se ata do të bëjnë çmos që BE-ja të ketë një qëndrim të unifikuar rreth Kosovës dhe shpresojnë që pasi të merret vendimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, atëhere BE-ja vërtet do të mund të reagojë shpejt, sikur duke marrë përgjegjësitë në Kosovë, ashtu dhe karshi vendimeve politike për statusin e Kosovës.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave po ashtu ka nënvizuar në raportin e tij se jo vetëm që do të ishte e dëmshme të shtyhej më shumë statusi i Kosovës, por se kjo do të kishte pasoja të rënda për të gjithë rajonin. Prandaj kanë kërkuar nga të gjithë që të veprojnë shumë shpejt, ndaj menjëherë pas propozimit të Ahtisarit të veprojë shpejt edhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.



XS
SM
MD
LG