Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA E KOSOVËS ËSHTË NË RREZIK TË BJERË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës është jofunksionale dhe po mbahet më shumë për shkak të rrethanave të jashtme, kanë vlerësuar analistët në Prishtinë, duke komentuar funksionalitetin e qeverisë së Kosovës, sidomos pas zhvillimeve në Kuvendin e gjashtë zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është partnere e koalicionit qeveritar dhe parti me më së shumti deputetë në Parlamentin e Kosovës.

Shkëlzen Maliqi, analist nga Prishtina, mendon se qeveria aktuale është shumë e brishtë dhe si e tillë e paqëndrueshme:
"Çdo krizë eventuale në parlament, raportet ndërmjet partnerëve në koalicion ose çdo kërkim i votëbesimit në parlament mund ta rrëzojë këtë qeveri, edhe pse atë tash e mbajnë rrethanat e jashtme se nuk është momenti, sigurisht edhe zyrat diplomatike këshillojnë që të mos nxitohet një hap i tillë në këto rrethana", tha zoti Shkëlzen Maliqi, sipas të cilit arsyet pse qeveria ende është e pandryshuar janë rrethanat kur po pritet mbajtja e zgjedhjeve në Serbi dhe shpallja e raportit të Ahtisarit për statusin e Kosovës.

Ndërkaq, analisti tjetër Baton Haxhiu mendon se zhvillimet në Lidhjen Demokratike kanë qenë fundi praktik i kësaj qeverie:
"Qeveria e Kosovës, për ata që i dinë rrethanat, ka pushuar së funksionuari në mënyrë faktike pas 9 dhjetorit, kurse parimisht ajo ekziston si e tillë për shkak të pastërtisë, mënyrës së menaxhimit dhe angazhimit të kryeministrit Çeku", tha zoti Haxhiu, sipas të cilit megjithatë është e pamundur që një kryeministër të mbulojë të gjitha vrimat e trashëguara dhe të bëra ndërkohë të ministrave të papërgjegjshëm.

Zoti Shkëlzen Maliqi beson se, me gjithë rrezikimin qeveria do të arrijë të mbijetojë, së paku edhe disa muaj:
"Besoj se qeveria është shumë në rrezik që të ndërrohet por kjo nuk do të ndodhë para fundit të shkurtit apo marsit", tha zoti Maliqi.

Mirëpo, Baton Haxhiu mendon më ndryshe:
"Realisht qeveria ka rënë. Qeveria në secilin vend që ka pak kulturë demokratike ministri prej ditës së djeshme dhe kryeministri bashkë me ministrat do të duhej të jepte dorëheqje, por rrethanat kosovare nuk e lejojnë atë komoditet për shkak të zbrazëtirës së madhe që mund të krijohet ndërkohë dhe për shkak të raportit të forcave që janë krijuar pas ndarjes së LDK-së," tha zoti Haxhiu.

Zoti Haxhiu tha se ende nuk dihet se cilët deputetë të LDK-së me kë janë, prandaj nuk ka mundësi të ndërtohet një qeverisje e stabilitetit me rënien e qeverisë aktuale në mënyrë demokratike. Sipas Haxhiut, kjo ndodh për arsyen se Kosova nuk është vend aq demokratik për të pasur ndryshim të tillë demokratik.





XS
SM
MD
LG