Ndërlidhjet

logo-print

INSTITUCIONET DËNUAN AKTIVITETET E PALIGJSHME TË GRUMBULLIMIT TË ARMATIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Opozita e ka akuzuar edhe sot qeverinë e Kosovës se zyrtarë të saj qëndrojnë prapa disa grupeve kriminale dhe maskave të paraqitura në pjesë të caktuara të Kosovës. Këto akuza opozita i ka shprehur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi që policia dje ka arrestuar 3 persona, tek të cilët është gjetur sasi e konsiderueshme armatimi i llojeve të ndryshme. Për njërin prej këtyre tre personave është konfirmuar se është këshilltar i Ministrit të Punës Ibrahim Selmanaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Mirëpo përkundër këtij fakti, Selmanaj tha se nuk e ndien veten fajtor dhe nuk ka ndërmend të jap dorëheqje.

“Pse të jem përgjegjës përderisa ngjarja është zhvilluar jashtë institucionit dhe jashtë orarit të punës”, tha Selmanaj.
Selmanaj tha se ai nuk ishte në dijeni për përfshirjen e zyrtarëve të ministrisë së tij në aktivitete të tilla, të paligjshme.
“Çfarë dijenie, ne punojmë tërë ditën dhe nuk kam pas kurrfarë dijeni për atë që ndodhi”, pohoi ministri Selmanaj.

Mirëpo arrestimi i këshilltarëve të ministrit Selmanaj dhe kapja e një sasie të konsiderueshme të armatimit, ka nxitur reagimin e opozitës në Kuvend.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi ka kërkuar që Kuvendi të shtrojë urgjentisht për debat situatën e sigurisë dhe t’i ftojë kryeministrin dhe ministrin e rendit që të raportojnë për gjendjen aktuale, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha se dihet edhe adresa prej nga po destabilizohet Kosova. Thaçi tha se veprime të tilla dëmtojnë edhe procesin e statusit të Kosovës.

“Statusi politik i Kosovës zgjidhet drejt, zgjidhet në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe me zotimin tonë të politikes, jo duke e toleruar të keqen, por duke e luftuar. Prandaj, dihet adresa politike e të keqes në Kosovë, qëndrimi ynë është shumë i qartë, kërkohet një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar në Parlamentin e Kosovës ku do të jenë dhe autoritetet qeverisëse”, tha Thaçi.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, kryeministri Agim Çeku tha se i dënonte këto veprime kriminale, por ai kërkoi që para se të shkohet me veprime të tjera, qoftë edhe ndëshkime në qeverinë e tij, duhet të priten dhe rezultatet e hetimeve nga organet përkatëse:

“Unë, edhe si kryeministër edhe si qytetar i Kosovës, ndihem shumë i brengosur për atë që ka ndodhur dje, por ajo është kryer nga individët dhe ata janë kriminelë dhe kjo nuk është kryer nga asnjë subjekt politik dhe as nga qeveria, distancohem plotësisht nga ky akt”, theksoi Çeku.

Kryeministri ka premtuar se do të ndërmerren masa sqaruese dhe pastaj do të mendohet për veprimet e ardhshme politike.
Deputetët e opozitës e kanë akuzuar qeverinë duke thënë se veturat në të cilat është gjendur armatimi kanë qenë të ministrive kosovare. Por zëdhënësi i SHPK-s, Veton Elshani e ka mohuar një gjë të tillë. Ndryshe deputetët vendosën që ky rast, por edhe situata e përgjithshëm e sigurisë të shqyrtohen në një seancë të veçantë plenare, në një afat sa më të shpejtë.

XS
SM
MD
LG