Ndërlidhjet

GJ.SYLA: BESOJMË SE NESËR DO TË MIRATOHET BUXHETI


Gjylnaze Syla, shefe e grupit parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Javën e fundit Kuvendi i Kosovës është ballafaquar me mungesën e kuorumit. Si i shihni ju këto zhvillime dhe a është kjo pasojë apo rrjedhojë e zhvillimeve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës?

GJYLNAZE SYLA
Sipas mendimit tim kjo është më tepër pasojë e një organizimi apo planifikimi jo aq perfekt të seancës plenare. Kjo është përvoja e fundit që tregon se ne duhet të angazhohemi në një planifikim më të mirë të seancës. Çka do të thotë kjo. Kur dihet se deputetët e caktuar, qoftë përmes komisionit apo aktiviteteve të veçanta që i zhvillojnë brenda Kuvendit nuk janë në Kosovë, por ndodhen jashtë Kosovës, atëhere në bashkëpunim me shefat e grupeve parlamentare, kryesia e Kuvendit duhet të bëjë planifikimin e tillë që të jetë e sigurt se ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për zhvillimin e seancave plenare dhe punës së Kuvendit. Prandaj sipas mendimit tim, ky duhet të jetë një funksionim më i mirë i Kuvendit, në aspektin e koordinimit të punëve për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme është thënë se Kuvendi mund të futet në një krizë, sikurse të rrezikohet edhe koalicioni qeverisës. A shihni ju një rrezik të tillë?

GJYLNAZE SYLA
Jo unë si e thashë më parë së pari nuk konsideroj se është krizë parlamentare, mendoj që më tepër është mungesë e koordinimit të punëve dhe siç thashë përvoja ka treguar sidomos tek e fundit që nevojitet një koordinim më i mirë dhe më i ngushtë i të gjithë faktorëve relevantë për mbarëvajtjen e seancës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nesër Kuvendi ka në shqyrtim sërisht buxhetin e Kosovës. A besoni se kësaj radhe Kuvendi do t;ia dalë të miratojë buxhetin, në mënyrë që të mos vijë në gjendjen që shefi i UNMIK-ut të ndërhyjë në këtë gjendje?

GJYLNAZE SYLA
Duke analizuar arsyet e mungesës së deputetëve, dhe mungesës së kuorumit, ne nga Aleanca i kemi dy deputetë të cilët ndodhen në komisionin për Komunitete jashtë vendit, në Strasburg dhe informatat që ne i kemi është se ata kthehen sot. Gjithashtu dhe nga ana e LDK-së dhe grupi G6+, prandaj mendoj se nesër do të kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të miratuar buxhetin e Kosovës. Ai është i nevojshëm për t'u votuar, për arsye se siguron funksionimin e institucioneve, por edhe të jetës në Kosovë. Si deputetë që jemi natyrisht që e kemi obligimin dhe përgjegjësinë ta bëjmë këtë gjë dhe ta votojmë buxhetin.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ana tjetër si i vlerësoni deklaratat e opozitës se koalicioni aktual ka humbur legjitimitetin dhe legalitetin dhe si i tillë nuk mund ta shpjerë vendin përpara deri në zgjedhjet e ardhshme.

GJYLNAZE SYLA
Më vjen keq se opozita, gjegjësisht Partia Demokratike është shumë e përqëndruar në rrëzimin e qeverisë dhe shumë më pak e përqëndruar në një forcim të punës së institucioneve, një punë shumë më të mirë, por edhe vazhdimin dhe përqëndrimin në problemet që ka popullata e Kosovës. Ne kemi punë të shumta, popullata ka nevoja të shumta, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, papunësia, ekonomia e pazhvilluar, mungesa e pensioneve etj. Unë do të isha shumë e lumtur po t'i dëgjoja kolegët e mi deputetë të opozitës se ata më shumë janë të brengosur për këto çështje sesa për rrëzimin e qeverisë. Sa i përket legjitimitetit kjo është e përcaktuar në rregulloren e punës së Kuvendit dhe unë jam e bindur se opozita e ka lexuar këtë. Ekziston rregulla e veçantë, e cila flet për votëbesimin dhe unë besoj se opozita do ta respektojë këtë. Por qeveria e ka legjitimitetin.

RADIO EVROPA E LIRË
Nuk shihni ndonjë rrezik që në një të ardhme të afërt qeveria të bjerë siç parashikohet edhe në analiza të ndryshme?

GJYLNAZE SYLA
Unë do doja të parashtroja njëherë që t'i provokoj të gjithë të mendojnë se çfarë është më e dobishme për Kosovën; jo për individët, jo për ambiciet personale, por pikërisht për Kosovën në një situatë kaq të rëndësishme. A është më mirë të rrëzohet qeveria dhe të formohet një e re, e cila do të kërkonte së pakti gjashtë muaj që të funksionalizohet, që ministri i ri të mësojë punën, apo qeveria e tashme të vazhdojë punën dhe t'i kryejë të gjitha obligimet të cilat i ka marrë dhe natyrisht ta përfundojmë procesin e statusit? Provokoj të gjithë, jo vetëm deputetët, por shpresoj që mund të provokoj të gjithë qytetarët të mendojnë se çfarë është më e dobishme për Kosovën. Unë personalisht dhe Aleanca është e bindur që është më e dobishme për Kosovën që qeveria të vazhdojë punën e saj jo vetëm deri në përcaktimin e statusit, por edhe më tej.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG