Ndërlidhjet

ZVOGËLOHET ADMINISTRATA PUBLIKE PËR AFRO 3000 VENDE PUNE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Fatmire Hynileri, është në mesin e 84 punëtorëve të Departamentit të Punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, së cilës kontrata e punës nuk do t’i vazhdohet pas 31 dhjetorit. Prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, një numër i madh punonjësish civilë do të largohen nga administrata publike për ta shkarkuar buxhetin e Kosovës nga, siç thuhet, mbingarkesa. Por, për zonjën Hynileri, ky vendim është shqetësues.

“Kështu ndoshta nuk e kemi pritur, me vetveten kemi thënë se e kemi moshën edhe plus përvojë të gjatë pune. Prej 80-tës nuk është pak, nuk e kemi pritur këtë. Jemi ankuar në departamentin e punës, por tash çka do të bëhet nuk e di”, tha zonja Hynileri.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në njërin nga raportet mbi menaxhimin e buxhetit të Kosovës pati rekomanduar që të zvogëlohet numri i shërbyesve civilë, vendim ky i miratuar edhe nga qeveria e Kosovës.

Për Departamentin e Punës, kjo është edhe një valë e re që i bashkohet kontigjentit të të papunëve dhe një indikator më shumë për rritjen e varfërisë dhe rritjes së problemeve sociale në Kosovë, thotë Ylber Shabani, drejtor i këtij departamenti. Ai tha se ky departament gjendet në një pozitë të vështirë, sepse puna kryesore e kësaj qendre ka qenë rritja e numrit të të punësuarve e jo zvogëlimi i tyre. Dhe për këtë arsye zoti Shabani tha se ky vendim ndoshta është dashur të ndodh në një kohë tjetër.

”Mendoj se në këtë gjendje sociale, në këtë situatë, pak a shumë lejomëni të them të tensionuar, për shkak të shumë rrethanave, mendoj se ndoshta do të ishte më e mençur që ky reduktim i punëtorëve të shtyhet për një kohë më të mirë. Ky është mendimi im personal,” tha zoti Shabani.

Zoti Shabani, ndërkaq tha se ka qenë vështirë të vendoset se kush do të largohet nga puna. Në mënyrë që të mos dëmtohet stafi profesional, tha ai, është vendosur të shuhen vendet e punës për ndihmës administrativë.

“Në një situatë kur e gjeni veten se patjetër duhet ndërmarrë një vendim i tillë, atëherë neve kemi marrë kritere që është dashur me marrë dhe kemi shkuar në zvogëlimin e punëtorëve administrativë, në mënyrë që mos të dëmtojmë nivelin profesional,” tha zoti Shabani.

Por, zonja Hynileri e cila është edhe mbajtëse e familjes së saj, thotë se është dashur të merren parasysh edhe kritere të tjera. Largimi nga puna për zonjën Hynileri, është koha më e vështirë që ka përjetuar deri më tash.

“Kam përjetuar shumë kohëra të vështira, kjo po më duket tash më e vështira. Kjo është shumë më e vështirë tash, ata fëmijë kush do t'i mbajë, ata varen prej meje. Kjo rrogë nuk është kush e di sa, por prapë bile- bile për një kafshore buke nuk kemi hjekë,” tha zonja Hynileri.

Hajdin Ramadani, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shërbimeve Publike, e cila bën listën e pagave për punëtorët e administratës publike, tha se e gjithë kjo do të rregullohet më miratimin e buxhetit për vitin 2007, nga Kuvendi i Kosovës. Ai tha se buxheti do të përcaktojë për çdo institucion numrin e punëtorëve dhe shumën për paga.

“Çdo institucion është i obliguar që të respektojë buxhetin, sepse nuk mund të futet në listën e pagave. Ministria e Shërbimeve Publike është e obliguar që në fillim të vitit ta kërkojë buxhetin e çdo institucioni, ta shikojë numrin e punëtorëve dhe shumën monetare, dhe në bazë të asaj e fut në listën e pagave” tha zoti Ramdani.

Deri në miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, numri i atyre që do të largohen nga puna nuk dihet, edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar që ky numër të jetë rreth 3 mijë. Administrata publike në Kosovë ka të regjistruar rreth 74 mijë punëtorë dhe vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti, pagat dhe meditjet e tyre i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës më shumë se 134 milionë euro.
XS
SM
MD
LG