Ndërlidhjet

NGJARJET QË SHËNUAN SPORTIN GJATË VITIT 2006


JEFFREY DONOVAN

Viti 2006 u shënua me ngjarje të mëdha sportive. U zhvilluan Lojërat Olimpike Dimërore dhe Kampionati Botëror i Futbollit, nga garat u tërhoqën legjenda e Formula 1 Michael Schumacher dhe ylli i tenisit Andre Aggasi, ndërsa skandali me dopingun e turpëroi amerikanin Floyd Landis, që fitoi në Tour de France.
Por në gjithë këto ngjarje të mëdha, veçohet një moment dramatik i marrëzisë.
Viti sportiv filloi me Lojërat Olimpike në Torino, ku atletë nga 81 vende i shfaqën shkathtësitë e tyre në sportet e borës. Ndër ata që befasuan më së shumti ishin suedezët me medaljen e artë në hokej, rusi Yevgeny Pluschenko në patinazh dhe triumfi i çiftit rus Tatiana Totmanina dhe Maxim Marinin. Për herë të parë në histori, dy medaljet u fituan me muzikën e të njëjtit autor, kompozitorit hungarez Edvin Marton.
Ndërsa kujtimet për lojërat olimpike u zbehën, vëmendja e tifozëve në pranverë iu rikthye futbollit. Në finalen e Kupës së Kampionëve t; Evropës, më 17 maj në Paris, Barcelona mundi Arsenalin e Londrës 2-1.
Në qershor, bota e tenisit ishte dëshmitare e një ngjarje të rrallë. Roger Federer humbi nga spanjoli Rafael Nadal, por zvicerani u këndell shpejt dhe në shtator ngadhnjeu në turneun US Open.
Por prej 9 qershorit deri më 9 korrik, bota drejtoi sytë nga Gjermania, ku 32 vende garuan në ngjarjen më të madhe të planetit, Kupën Botërore të FIFA-s. Kampionati rezultoi i suksesshëm për organizatorët, ndërsa qindra mijë tifozë përjetuan çaste të mira.
Për çudi, shoku i kampionatit nuk ishte humbja e Brazilit, por sjellja e yllit francez Zinedine Zidane, kur e goditi mbrojtësin italian Marco Materazzi.
Italia e fitoi kupën, ndërsa incidenti hyri në faqet e errëta të historisë së sportit.
Ky kampionat do të mbahet mend për faktin se asnjë lojtar nuk doli pozitiv në testet e dopingut.
Por nuk ishte kështu në çiklizëm. Disa ditë pasi fitoi garën Tour de France, amerikani Floyd Landis u testua pozitiv për nivele të palejuara të tostesteronit.
"E gjitha që kërkoj është të më jepet mundësia të dëshmoj se nuk jam fajtor. Do të dëshiroja të mos pandehem fajtor përderisa faji nuk dëshmohet", tha ai. Por edhe testi i dytë tregoi rezultate të ngjashme. Nëse ankesa e tij refuzohet, Landis mund të mbetet pa titullin dhe të dënohet me 2 vjet ndalesë në garat.
Katër javë më vonë, Andre Aggasi, tenist amerikan me origjinë nga Irani, shëndriti në turneun në Nju Jork, ku rusja Maria Sharapova fitoi titullin në kategorinë e femrave. Agassi bëri një kthim madhështor në fund të karrierës, por në rrethin e tretë humbi nga gjermani Benjamin Becker.
"Ju më ngritët në supe që t'i realizoj ëndërrat e mia, të cilat nuk do t'i arrija kurrë pa ndihmën tuaj", u tha Aggasi simpatizantëve të vet, duke i dhënë lamtumirën tenisit.
Një javë më vonë, një legjendë tjetër e sportit njoftoi largimin nga garat. Gjermani Michel Schumacher e bëri shpalljen në Monza, pasi fitoi 7 titulla, katër nga të cilat me Ferrarin.
"Ishte diçka vërtetë e jashtzakonshme ajo që ky sport i motorëve më ka dhënë në këto 30 vjet. Të gjitha çastet e mira dhe të këqija që i kam përjetuar, ma kanë bërë jetën aq të veçantë", tha Schumacher.
Fundi i vitit sportiv u përshkua me një ngjarje politike. Në nëntor, FIFA e pezulloi Iranin për përzierje në punët e futbollit, por më pas e lejoi të marrë pjesë në Lojërat Aziatike në Doha të Katarit.
Nga mesi i dhjetorit, Iraku pa një shkëndi shprese. Në Doha, ku Kina dominoi me medaljet e fituara, futbollistët e Irakut e mundën 1-0 favoritin Korenë e Jugut dhe luajtën në finale.
"Kjo ishte dhurata jonë për popullin irakian", tha kapiteni i kombëtares irakiane Khalef.
XS
SM
MD
LG