Ndërlidhjet

logo-print

Festa e Krishtlindjeve në Janjevë të Kosovës


Zijadin Gashi

Në kishën katolike në Janjevë të komunës së Lipjanit, një fshat ky me popullatë të përzier, mbretëronte një atmosferë e vërtetë festive për Krishtlindjet. Ndërsa për një çast, besimtarët katolikë festonin dhe ndiheshin të gëzuar, ata megjithatë gjatë bisedave, nuk i lënin anash dhe brengat e tyre. Në këtë fshat, dikur të dominuar nga pjesëtarë të përkatësisë kroate, tani çdo ditë e më pak ka kroat që duan të jetojnë aty. Josip Cirinotiq, thotë se problemet me të cilat po ballafaqohen kroatët në fshatin Janjevë, janë të shumta. “Jetë katastrofale, pa rrymë, pa punë, absolutisht kurrfarë kontributesh dhe të vetmit që ndihmohen janë ata që i kanë familjet në Kroaci”, thotë ky banor. Çdo vit, sipas tij, Janjeva vazhdon të ketë më pak familje kroate. “Ne po mundohemi të mbetemi këtu, por papunësia e ka bërë të vetën dhe të rinjtë nuk duan të mbesin më kështu në këtë gjendje”, thotë qytetari Josip Cirinotiq. Edhe banorja, Lubica Berishiq nga ky fshat, thotë se Krishtlindjet po festohen në një atmosferë të mirë, por kësaj feste, shton ajo, po i mungojnë shumë bashkë-fshatarë me të cilët është mësuar të festojnë viteve të kaluara:
“Nuk kemi punë dhe situata e ka bërë të vetën që secili të shkoj rrugës së vet. Kemi mbet pak veta këtu”, thotë Lubica Berishiq, duke shtuar se edhe gjatë festave nuk shihet më me të afërmit e saj, me vëllezër e motra si dikur. Berishiq thotë po ashtu se shpëtimi i këtyre banorëve tash e tutje po shikohet vetëm kah largimi qoftë për në Kroaci apo edhe në vende më të largëta si Gjermani e vende tjera. Në fshatin Janjevë jetojnë dhe shqiptarë, kroat e romë. Papunësia, sipas këtyre banorëve, ka bërë që nga 4.500 pjesëtar kroatë sa kanë jetuar para vitit 1999, tani të mbesin vetëm 330 banorë.
Udhëheqësi lokal, Don Mate Paliq, thotë se gjendja është e rëndë, kështu që këtyre banorëve u dalin në ndihmë qoftë Kisha Katolike apo ndihmat që u vijnë nga Kroacia.
“Mundohemi që në këso kushte të vazhdojmë me ato që janë tradicionale te ne, por gjithçka tash është vështirësuar, gjendja ekonomike e ka bërë të vetën dhe se numri i kroatëve të mbetur është gjithnjë e më i vogël, çka po vërehet edhe në Kishë”, thotë Don Mate Paliq, duke shprehur shqetësim sidomos për rininë e cila nuk sheh të ardhme në këtë vend. Ndërsa gjendja ekonomike, sipas tij, paraqet problemin kryesor, lidhur me raportet ndër-etnike, Don Mate Paliq thotë se ato janë të mira, kurse pas disa rasteve kriminale, tani atje është hapur dhe një stacion policor, çka, shton ai, ka sjellë deri te një gjendje më e mirë sigurie. Banorët kroatë, thekson ai, do të pajtohen me zgjidhjen e statusit, me të cilën do të pajtohet edhe popullata e Kosovës. Por, përveç statusit, këta banorë kërkojnë në rend të parë që të kenë një infrastrukturë ekonomike, që t’i mbajë ata në Kosovë dhe të mos detyrohen që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, siç ka në vepruar tashmë shumica e kroatëve të fshatit Janjevë. Me urimet më të mira për Krishtlindjet, Don Mate Paliq thotë po ashtu se shpreson që autoritet kosovare ta kuptojnë gjendjen e rëndë në këtë mjedis dhe kështu t’u ofrojnë atyre një arsye për të qëndruar në Kosovë.


XS
SM
MD
LG