Ndërlidhjet

Substancat narkotike nëpër burgjet e Kosovës


Nadie Ahmeti

Të burgosurit që gjenden në institucionet korrektuese në Kosovë në disa raste nuk e kanë edhe aq të vështirë të shfrytëzojnë substanca narkotike, duke shfrytëzuar në këtë drejtim ndihmën e disa gardianëve. Kështu thonë organizatat që merren me të drejtat e njeriut. Në Shërbimin Policor të Kosovës thonë se ka pasur disa arrestime të gardianëve për shkak të shpërdorimit të detyrës së tyre. Veton Elshani, zëdhënës në këtë shërbim, pohon se policia nuk ka bërë klasifikime për arsyet që kanë nxitur arrestimin e gardianëve. “Statistika të veçanta nuk kemi, por rastin e fundit e kemi pasur në burgun e Dubravës, më 29 nëntor, pas një bashkëpunimi të ndër jelltë në mes SHPK, njësitit për krime ekonomike të Pejës. Pas hetimeve të kryera në burgun e Dubravës, më urdhëresë të gjykatës ndërkombëtare është bërë arrestimi i dy zyrtarëve të këtij burgu për shpërdorim të pozitës zyrtare apo të autorizimeve”, tha zoti Elshani. Drejtori i Burgut të Dubravës, Sokol Zogaj, pranon se deri më tash një gardian është larguar nga puna, pikërisht për shkak të futjes së narkotikëve brenda mureve të burgut, kurse një tjetër ka qenë i dyshuar për veprime të ngjashme. Ai nuk e mohon faktin se substancat narkotike mund të shfrytëzohen edhe në burgun e Dubravës, por, sipas tij, ka metoda dhe mënyra tjera të futjes së këtyre substancave në këtë institucion. “Po, ka pasur një rast. Ne e kemi hetuar rastin dhe e kemi paraqitur në polici. Kështu janë zhvilluar hetimet ndaj, ka marrë burg një vit, ndërkaq ne e kemi larguar nga puna. Rasti tjetër ka qenë i dyshimti, për të cilin gjykata nuk ka pasur argumente të bollshme dhe hetimet ndaj tij janë ndërprerë dhe është kthyer në punë”, tha zoti Zogaj.
Në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konsiderojnë se numri i veprave të tilla është shumë më i madh në raport me arrestimet që janë bërë. Ibrahim Makolli, nga ky këshill, tha se dukuri të tilla janë të pranishme si në burgun e Dubravës, po ashtu edhe në atë të Prizrenit.
“Për një kohë ne kemi pasur akuza si nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare se këto nuk janë të sakta. Për fat të mirë tonin, dhe për fat të keq në përgjithësi kjo është vërtetuar sepse tash kohëve të fundit kemi arrestimin e disa gardianëve që janë të implikuar drejtë për drejtë në këto dukuri qoftë në burgun e Dubravës, qoftë në atë të Prizrenit”, tha zoti Makolli. Shqetësuese në këtë drejtim për zotin Makolli, është fakti se gardianët që merren më këtë fenomen, krijojnë grupe interesi brenda burgjeve, dhe në raport më të burgosurit tjerë këto grupe janë më të privilegjuara. “Dhe një prej shkeljeve më të mëdha pastaj që u ndodh brenda të burgosurve vjen pikërisht nga këto grupacione të njerëzve të cilët merren më kriminalitetet. Dhe për t’i fshehur veprimet e tyre, ata pastaj sanksionojnë të burgosurit tjerë që është hetuar në disa raste të tilla”, tha zoti Makolli. Sipas tij, shpërdorimi i pozitës zyrtare, flet më se miri për gjendjen në të cilën ndodhen institucionet korrektuese në Kosovë.
“Edhe kjo flet më se miri për nevojën e reformimit të tërësishëm të sistemit të burgjeve në Kosovë, duke pasur parasysh se ata te cilët përkujdesen për njerëzit të cilët për një vepër të tillë penale gjenden brenda burgjeve,të njëjtit kryen vepra të tillë”, thotë Ibrahim Makolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

XS
SM
MD
LG