Ndërlidhjet

POZITA PREMTON RUAJTJEN E UNITETIT, OPOZITA KËRKON NJË QEVERI TJETËR


Albana Isufi

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka përjashtuar mundësinë e negociatave të mëtejme mes Prishtinës dhe Beogradit, një ditë pasi që zyrtarët e qeverisë serbe kanë deklaruar se me një gjë të tillë pajtohen 12 nga 15 shtetet e Këshillit të Sigurimit.
“Ne kemi shtjerrë mundësitë e bisedimeve në takimet e Vjenës për temat e rëndësishme, që janë diskutuar atje. Qasja jonë ka qenë qasje shumë konstruktive dhe serioze dhe e mbështetur në standardet ndërkombëtare, madje në disa çështje edhe i tejkalon”, tha Sejdiu.
Presidenti Sejdiu ka thënë se procesi i statusit është mirë të përfundojë në pranverën e hershme. Gjatë kësaj periudhe presidenti Sejdiu premton se do të ruhet uniteti brenda spektrit politik, pavarësisht se opozita po vazhdon të kërkojë rrëzimin e koalicionit qeverisës. Duke u nxitur nga miratimi i buxhetit të vitit 2007, i cili është kundërshtuar nga opozita, nënkryetari i PDK-së Bajram Rexhepi ka kërkuar sërish rënien e qeverisë.
“Shqetësimi i opozitës është se perspektiva e Kosovës është në rrezik dhe krizë për shkak të keqqeverisjes dhe dështimit të qeverisë aktuale. Prandaj mund të thuhet se pas dështimeve të vazhdueshme kryeministrit Agim Ceku i ka humbur rruga në oborr”, tha Rexhepi. Ish-kryeministri Bajram Rexhepi thotë se PDK nuk pretendon që tani të jetë pjesë e qeverisë.
“Qëllimi i opozitës është që kjo qeveri të bie dhe të vijë një qeveri më kompetente, opozita e sheh veten në qeveri pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ku ne pretendojmë t’i fitojmë zgedhjet. Për momentin nuk pretendojmë”, tha Rexhepi.
Megjithëkëtë, presidenti Fatmir Sejdiu beson se pozita dhe opozita do të ecin bashkë në procesin e statusit. Ai i sheh të ndara çështjet që kanë të bëjnë me statusin nga çështjet e qeverisë.
“Ne është shumë me rëndësi, që të bëjmë punën e mirë për Kosovën. Çështjet e qeverisjes janë diçka tjetër, çështjet e statusit politik dhe të ekipeve janë diçka tjetër. Për ne është me rëndësi që të mbajmë një stabilitet, që të kontribuojmë si pozitë si opozitë, se nuk mund t’i ndajë, në funksion të ecjes së Kosovës drejt integrimeve të mëvonshme”, tha Sejdiu.
Ndërkohë, që deklaratat kundërthënëse mes pozitës e opozitës janë bërë më të shpeshta ditëve të fundit, kosovarët pa dallim partie apo etnie kanë marrë premtime se të paktën situata e sigurisë do të jetë e qetë si tash, ashtu edhe pas statusit. Këtë premtim ka dhënë komandanti i KFOR-it Roland Kather pas një takimi me presidentin Sejdiu.
“Jam i kënaqur me situatën e sigurisë. Mendoj se për të gjithë ne 2006-ta ka qene vit i suksesshëm. Jam i inkurajuar se do kemi situatë të njëjtë ne 2007-ten ne kete vit vendimtar në të cilin presim vendimin per statusin. Edhe K FOR-i mendon se ne na duhet tash vendimi, të dimë se çfarë do jetë statusi, çfarë do jetë e ardhmja e Kosovës. Ne të gjithëve na duhet kjo”, tha gjenerali Kather, i cili është i bindur se populli i Kosovës dëshiron të jetojë në paqe dhe stabilitet.
Komandanti i KFOR-it ka përjashtuar mundësinë e kërcënimeve dhe sfidave për sigurinë në prag të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG