Ndërlidhjet

HENDEKU NË LDK


Albana Isufi

Krahu politik i ish- kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci në LDK, ka ripohuar se ka forcën e mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë, por edhe institucionet tjera të vendit, nëse një gjë e tillë është e nevojshme. Deputetja në Kuvendin e Kosovës Besa Gaxherri, që i përket krahut të z.Daci, nuk e përjashton shfrytëzimin e kësaj mundësie, madje edhe para se të zgjidhet statusi final i Kosovës.
“Do të jemi shumë konstruktivë në këtë drejtim, por nëse kjo i kontribuon statusit ne do e bëjmë. Qoftë ruajtjen e situatës momentale, qoftë ndryshimet. Do ta shikojmë situatën dhe do të veprojmë”, tha Besa Gaxherri.
Nënkryetari i parë i LDK-së Eqrem Kryeziu, e konsideron deklaratën e ish kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci për mundësinë e rënies së institucioneve si rrënuese.
“Unë deri më tani nuk e kam ditur se Daci dëshiron të legjitimohet me fuqinë rrënuese. Nëse është kështu atëherë nuk kemi cka t’i bëjmë”, thotë Kryeziu.
Krahu politik i Nexhat Dacit është ndarë i pakënaqur nga Kuvendi Zgjedhor i Partisë, për të cilin ky krah thotë se u janë bërë padrejtësi duke lënë jashtë Këshillit të Përgjithshëm pothuajse të gjithë përkrahësit e z. Daci. Ky krah i konsideron jo legjitime edhe organet tjera drejtuese të partisë të zgjedhura pas Kuvendit. Sidoqoftë përkrahësit e z Daci konsiderojnë se kanë fuqinë e mjaftueshme për të bërë ndryshime në koalicionin qeverisës LDK-AAK. “Kemi fuqinë ta bëjmë një gjë të tillë, sepse ju e dini koalicioni LDK-AAK dhe 6+, ju e dini, mungesa e një –dy deputetëve dhe çështjet e mëdha sic është qeveria, zgjedhja e kryetarit të Kosovës ose të Kuvendit nuk mund të pa këtë numër komplet të deputetëve. Andaj kemi mundësi ta bëjmë një gjë të tillë. Do t’i matim veprimet tona dhe nëse vërtet e shohim të nevojshme një gjë të tillë, do të marrim hapa konkretë”, tha Gaxherri.
Nënkryetari i parë i LDK-së Eqrem Kryeziu, i cili është zgjedhur në këtë post nga Këshilli i Përgjithshëm pas Kuvendit Zgjedhor, thotë se nëse z.Daci është i vendosur ta bëjë një gjë të tillë, atëherë duhet të shikohen situata të reja në institucione.
”Po, nëse ka fuqi, është një raport real i forcave sot në Kosovë në parlament. Edhe nëse ia mësynë kësaj aventure atëherë natyrisht që nuk ka këtu asgjë dëshpëruese. Duhet gjetur situata të reja”, tha Kryeziu.
Në anën tjetër edhe opozita është duke insistuar në rrëzimin e qeverisë Ceku. Këtë gjë e ka kërkuar sërish PDK-ja edhe pse këtë herë ka deklaruar se nuk pretendon te jetë pjesë e një qeverie gjithëpërfshirëse, por dëshirojnë që vendi të qeveriset nga një qeveri kompetente. Shefi i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë Hajredin Kuçi thotë se qeveria aktuale e ka vënë Kosovën në krizë.
“Ne duhet ta kemi të qartë, jetëgjatësia e kësaj qeveria do të thotë vazhdimi i kolapsit ekonomik, social dhe politik në Kosovë. Ne duhet ta pranojmë se kjo qeveri e ka vënë Kosovën në krizë dhe kjo strukturë qeveritare dhe ky mentalitet qeverisës e vazhdon apo e thellon më tutje. PDK nuk ngarend për zënien e pozitave te saj politike e institucionale, por ngarend që t’i stopojë dukuritë negative në Kosovë”, tha Kuçi.
Deklaratat e opozitës, nënkryetari i LDK-se Eqrem Kryeziu i konsideron si provokime ndaj qeverisë, për të cilat dyshon se do kenë sukses.
XS
SM
MD
LG