Ndërlidhjet

logo-print

PRIORITETET E EKIPIT NEGOCIATOR


Zijadin Gashi


Ekipi Negociues për statusin ka përcaktuar sot disa prej prioriteteve për fazën e parë të vitit të ardhshëm. Kjo fazë përfshinë periudhën pas paraqitjes së propozimit të presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se me ekipin e unitetit janë pajtuar që Kosova duhet të ketë një bazë ligjore e kushtetuese të gatshme për të filluar me implementimin apo zbatimin e statusit, i cili sipas tij, pas propozimit të Ahtisarit brenda dy-tre muajve do të kalojë në Këshillin e Sigurimit. Në takimin e fundit për këtë vit, Sejdiu tha se ekipi negociues është pajtuar për hapat e Kosovës në vijim dhe në pritje të vendimit për statusin e Kosovës. “Është qëndrim i përbashkët i Ekipit të Unitetit që muajt e parë veçanërisht t’i përkushtohemi nxjerrjes së Kushtetutës së Kosovës, një fokusim i veçantë i yni do të jetë në procesin e zgjedhjeve apo përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, dhe natyrisht në këtë fazë të zhvillimeve do të kemi edhe elemente tjera të përkushtimit tonë, posaçërisht asaj që kanë të bëjnë me identitetin identifikues të Kosovës, pra çështjen e simboleve”, tha Sejdiu.
Në emër të Ekipit Negociues, presidenti Sejdiu tha se pas propozimit të Ahtisarit, Prishtina nuk pret rifillim të negociatave me Beogradin, por një seri takimesh me Ahtisarin dhe bashkësinë ndërkombëtare lidhur me propozimin që i dërguari i Kombeve të Bashkuara do të paraqes për statusin e Kosovës. Kurse vendimi për statusin, sipas tij pritet të ndodhë diku në pranverën e vitit të ardhshëm.
Po sot, Qeveria e Kosovës ka mbajtur takimin e fundit për këtë vit, i cili ishte i pari i hapur për mediat. Kryeministri Agim Çeku ka prezantuar me këtë rast të arriturat e ekzekutivit kosovar gjatë vitit 2006. Viti 2006 ka qenë vit i pritjeve, vit i sfidave dhe testeve, tha Çeku. Ndonëse pritjet kanë qenë që Kosova të pavarësohet në vitin 2006, tani sipas tij, Kosova megjithatë është edhe më e përgatitur për pavarësi sesa që ishte në fillim të vitit. Duke e vlerësuar një vit të suksesshëm, kryeministri Çeku tha se Qeveria në vazhdimësi e ka mbështetur punën e Ekipit Negociues për pavarësinë e Kosovës, si një projekt i përbashkët i Kosovës, mbi të cilin askush nuk ka prioritet të veçantë. Duke u angazhuar në plotësimin e standardeve, Çeku tha se Qeveria i ka dëshmuar botës se Kosova është e gatshme për të qenë shtet i pavarur. “Kemi siguruar që tri vlerësimet e fundit në Këshillin e Sigurimit të jenë të gjitha pozitive dhe të gjitha të konstatojnë dhe të evidentojnë një progres substancial krahasuar me periudhën raportuese paraprake. Unë mendoj se me përmbushjen e standardeve, me dinamikën që e kemi tregu, ne kemi dhënë dëshmi e prova që me të vërtetë Kosova është e gatshme për shtetësi dhe progresi në Kosovë është substancial”, vlerësoi Çeku.
Për vitin e ardhshëm, prioriteti kryesor i Qeverisë dhe i gjitha institucioneve tjera do të jetë jetësimi i pavarësisë së Kosovës, u shpreh Çeku. Në përgjithësi, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar vitin 2006 si një vit që ka shënuar rezultate pozitive për Kosovën, duke besuar se në vitin e ardhshëm, jo vetëm se do të zgjidhet statusi i saj, por edhe do të ketë përparime si në zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e papunësisë, ashtu dhe në relaksimin e raporteve ndëretnike dhe në zbatimin e ligjit dhe reflektimit të sigurisë së saj të brendshme edhe në tërë rajonin.

XS
SM
MD
LG