Ndërlidhjet

DACI:"FUNDI I RRUGËS SË PËRBASHKËT NË LDK"


Nexhat DACI, deputet i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh keni deklaruar se në çdo kohë mund të rrëzoni qeverinë. Në cilat argumente mbështetni këtë pohim?

NEXHAT DACI
Deklarimi ka qenë më shumë hipotetik në kalkulimet që kanë bërë "bosët" e partive ose institucioneve, sepse ekzsiton një bindje se marrëveshja është arritur ndërmjet personaliteteve të caktuara dhe unë mbi këtë bazë gëzoi një përkrahje të mjaftushme në institucione dhe në veçanti në Parlament që do të mundja t'ia bëjë ose jo qejfin një krahu...Por, parimisht nuk jam i atij mendimi. Në dy takimet e fundit në Parlament kam dëshiruar të tregopj se ekziston përkrahje serioze për mua dhe mbi atë bazë kam menduar që është më mirë që të "seriozohen" udhëheqësit e institucioneve dhe të partive.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni se keni përkrahje në Kuvendin e Kosovës. Nëse flitet me numra, sa është kjo përkrahje në Kuvendin e Kosovës?

NEXHAT DACI
Numrat janë 46 për qind të votave në Kuvendin e LDK-së, që do të thotë se në këtë përqindje anëtarësia e LDK-së përkrah personalitetin tim dhe parimisht kjo reflektohet edhe në institucione. Unë nuk jam marrë me numra as gjatë fushatës elektorale brenda partisë, por është një forcë serioze e cila mund të ndikojë në vendimarrjen në institucione.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditë më parë keni votuar për buxhetin e Kosovës, duke shmangur një krizë institucionale. Sipas jush, ka apo jo kundërthënje në këto veprime dhe deklarime?

NEXHAT DACI
Nuk ka kundërthënje. Është një kundërthënje e madhe, sepse lavdrohet ekipi negociator deri në përmasa planetare. Produkti i (tyre) i prodhuar nuk duket që konsumohet nga opinioni politik në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër sulmohet qeveria me gjithë arsenalin dhe harrohet që ajo qeveri kontrrollohet në fakt nga "bosët" e ekipit negociator dhe rrjedhimihst është një diskrepancë e madhe ndërmjet realiteteve në politikë në Kosovë dhe institucione. Sjellja ime është konform kësja diskrepance politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni zhvillimin e mëtejm të proceseve pas vitit të ri në LDK. Pra, do të mbeteni në këtë parti apo do të formoni parti të re?

NEXHAT DACI
Si duket gati është fundi i rrugës së përbashkët, sepse është bërë një muaj që ne luteshim se është keq që 46 për qind të anëtarëve të familjes të përjashtohen nga shtëpia. Ato lutje ose u keqkuptuan ose nuk ekzistonte gatishmëri e kryetarit të ri të LDK-së, zotit Sejdiu. Rrjedhimisht viti i ri do të sjellë hapa të ri në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ndikojnë këto zhvillime në LDK në stabilitetin e institucioneve të Kosovës, në periudhën kur pritet të përcaktohet statusi i Kosovës?

NEXHAT DACI
Po, mund të ndikojnë, por platforma e hapave të ardhshëm të ekipit politik të projektit Daci do të jetë e frymës Rugoviane, që do të thotë e gjithëpërfshirjes, e tolerancës dhe e miqësisë. Në asnjë mënyrë nuk do të mundohemi që të rrënojmë qoftë institucionet, qoftë një stabilitet politik i cili është rrënuar pa masë pas ndryshimeve që janë bërë pas vdekjes së presidentit Rugova. Kosova ishte një vend që prodhonte stabilitet politik dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, por prej asaj kohe Kosova është bërë konsumuese e këtij stabiliteti dhe kjo është ajo që më së shumti më brengos. Rrjedhimisht, të gjithë hapat që do të merren vitin e ardhshëm do ta kenë parasysh kthimin e sërishëm të stabilitetit politik në Kosovë dhe që në fytyrat e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht të anëtarësinë së LDK-së të kthehet sërish pamja normale dhe të hiqet brengosja.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG