Ndërlidhjet

logo-print

THAÇI: “2007, VIT I STATUSIT DHE I NJË QEVERIE TË RE”


Albana Isufi

Kreu i partisë më të madhe opozitare, PDK-së, Hashim Thaçi, në paraqitjen e fundit para mediave për këtë vit, ka deklaruar se 2007-a do të jetë vit i statusit, por edhe i një udhëheqjeje të re.
Ndërkaq, në 2006-tën, z.Thaçi konsideron se janë vënë kornizat juridike për shtetin e ardhshëm.
“Mund të konkludojmë se viti 2006 ishte vit i përkushtimeve të përbashkëta të skenës politike kosovare për vënien e kornizave juridike për shtetin e ardhshëm të Kosovës, të angazhimeve që të bindim edhe komunitetin ndërkombëtar se Kosova është e gatshme për të udhëhequr vetveten si shtet i pavarur dhe sovran,“ tha Thaçi.
Në një pritje për gazetarë, kreu i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi ka deklaruar se vitit 2007 do të jetë vit i statusit, në të cilin lidershipi kosovar do të ketë shumë punë për të bërë.
”Viti 2007, uroj , besoj dhe jam i bindur se do të jetë viti i vendimit për Kosovën shtet, do të nxjerrim Kushtetutën e re moderne, do t’i nxjerrim simbolet e unitetit shtetëror e qytetar të Kosovës, ligjin zgjedhor, do t’i organizojmë edhe zgjedhjet të reja, të lira e demokratike, të përgjithshme e lokale”, tha Thaçi.
Lideri opozitar Hashim Thaçi beson se Kosova më 2007 do të ketë qeveri të re.
“Kosova do të ketë qeveri të re, me lidership të ri me pretendime dhe përkushtime për t’u integruar në strukturat e BE-së dhe në NATO”, tha Thaçi.
Diëve të fundit të këtij viti PDK ka shpeshtuar akuzat dhe kritikat ndaj qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë aktuale dhe zëvendësimin e saj me një qeveri, siç kanë thënë, më kompetente. Por, përderisa muaj më parë PDK ka sugjeruar një koalicion gjithëpërfshirës, tani kjo parti deklaron se nuk është e interesuar që të jetë pjesë e një koalicioni të tillë.

XS
SM
MD
LG