Ndërlidhjet

PRAGË


Presidenti amerikan, George Bush nëpërmjet të një kumtese të shkruar deklaroi se ekzekutimi ishte moment shumë i rëndësishëm për popullin e Irakut dhe gjykimi i tij ishte "drejtësia, që ai ua kishte mohuar viktimave të regjimit të tij brutal". Por, zoti Bush tha se ekzekutimi i Saddam Husseinit nuk do ta ndalë dhunën në Irak. Aleatët e Shteteve të Bashkuara, Britania dhe Australia, shprehën qëndrime të njejta. Në Londër, Margaret Beckett tha se Saddam Husseini ishte "përgjegjës për së paku disa krime të tmerrshme që ai i bëri kundër popullit të Irakut". Megjithatë, ajo shtoi se qeveria britanike nuk e mbështet dënimin me vdekje as në Irak e askund tjetër.
Në Sidnej, kryeministri i Australisë, John Howard tha se ishte e rëndësishme se Saddam Husseinit iu dha mundësia për "proces përkatës gjyqësor", duke pasur parasysh dhembjen dhe vuajtjen që ai kishte shkaktuar në Irak. Irani përshëndeti ekzekutimin me varje të ish liderit të Irakut duke e cilësuar si dënim të merituar për njeriun, i cili e filloi Luftën shkatërruese tetë vjeçare kundër Iranit, nga e cila humbën jetën më se 1 milion njerëz. Por, shumë vende dhe liderë e kanë dënuar ekzekutimin me varje të Saddam Husseinit. Në Libi, qeveria e Moammar Gadhafit shpalli tri ditë zie zyrtare. Drejtori i organizatës Human Rights Watch, me seli në Nju Jork, Richard Dicker tha se historia do ta gjykoj procesin kundër Saddam Husseinit dhe ekzekutimin e tij në "mënyrë të ashpër". Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi përsëriti qëndrimin e Kishës Katolike kundër dënimit me vdekje:
- Ekzekutimi i dënimit me vdekje gjithmonë është tragjik. Gjithmonë është moment i dhembjes, edhe nëse personi i dënuar me vdekje është fajtor për krime të mëdha. Qëndrimi i Kishës Katolike kundër dënimit me vdekje disa herë është përsëritur. Vrasja e fajtorit nuk është mënyra për ta arritur drejtësinë dhe për ta pajtuar shoqërinë", tha zoti Lombardi, duke shtuar se "ekziston rreziku që ekzekutimi i të dënuarit me vdekje mund të nxisë shpirtin e hakmarrjes".
Rusia po ashtu e ka dënuar ekzekutimin me vdekje të Saddam Husseinit dhe ka shprehur shqetësim se kjo mund të nxisë një valë të re të dhunës. Bashkimi Evropian ka thënë se i dënon "krimet e kryera nga Saddami dhe, poashtu, edhe dënimin me vdekje". Komisionari për ndihma dhe zhvillim i BE-së, Louis Michel tha se ekzekutimi ishte "barbar" dhe se mund ta shndërroj Saddam Husseinin në martir.
XS
SM
MD
LG