Ndërlidhjet

BE debaton për Kosovën


Bruksel
Bruksel

Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja hezitojnë.



Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot takohen për të debatuar rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Siç dihet, qëndrimet e vendeve të BE-së rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk janë unike.
Shumica e tyre mbështesin njohjen e pavarësisë, por ka edhe të atilla siç janë Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, që hezitojnë.
Sidoqoftë, shefat e diplomacive të BE-së do të "marrin në dijeni" faktin që Parlamenti në Prishtinë ka shpallur pavarësinë e Kosovës.
Pritet të vendoset që secili vend veç e veç të vendosë nëse do ta njohë ose jo pavarësinë e Kosovës.
Agjencia sllovene e lajmeve sot ka bërë të ditur se në takimin e Brukselit, që e kryeson shefi i diplomacisë së këtij vendi, Dimitrij Rupel, ministrat do të miratojnë një deklaratë politike dhe konkluzionet, sipas të cilave, verifikohet përcaktimi i përbashkët për perspektiven evropiane të Kosovës, por duke mos përmendur fjalën pavarësi.
Burimet në Bruksel thonë se ky qëndrim është pasojë e kundërshtimit të vendeve të lartpërmendura, për të njohur shpejt pavarësinë e Kosovës.
Rrjedhimisht, në BE thuhet se do të nxirret formula që çdo vend të veprojë si ta vlerësojë vetë, pra pa një vendim unik të BE-së.
Duket se në raundin e vendeve të para që do ta njohin pavarësinë e Kosovës do të jenë Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, ndërsa disa të tjera, me gjasë, do të presin miratimin e Kushtetutës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG