Ndërlidhjet

logo-print

"Pavarësia e Kosovës – përmirësim i gabimit historik"


BOTA SOT
Për diasporën shqiptare nuk vlen e thëna "larg syve, larg zemrës". Për shqiptarin, sa më larg që e ka atdheun, aq më shumë mallëngjehet për të, aq më shumë mishërohet për problemet e tij, aq më shumë ndjehet i afërt me emrin e tij, me tokën e tij, me gjithçka që është shqiptare e Kosovës. Na kujtohen autobusët nga porti i Durrësit, na kujtohet si zbarkonin nga anijet e mëdha, i kemi parasysh si pamje të paharrueshme karvanët e shqiptarëve që vinin nga diaspora, që vinin të bëheshin ushtarë të UÇK-së. Kësaj here, po aq shumë sa erdhen në luftë, erdhën ta kremtojnë Ditën e Pavarësisë. Ata e përhapen Kosovën nëpër hartën e gjithë botës...

EXPRESS
Shpallja e pavarësisë së Kosovës të dielën ka ndërruar edhe pozicionet e shtetve anëtare në Këshillin e Sigurimit. Deri në shpalljen e pavarësisë, Rusia kërcënonte çdo tentim perëndimor për të nxjerrë një rezolutë për Kosovën, që prej nxjerrjes së propozimit të Martti Ahtisaarit. Tash Rusia ka kaluar në ofensivë. Ajo ka thirrur një konsultim qysh të dielën, ndërsa seancë të hapur për ditën e hënë...

KOHA DITORE
Ndonëse shumica e bashkëvendësve të saj kishin vazhduar protestat në Beograd kundër pavarësisë së Kosovës, duke i sulmuar edhe ambasadat e vendeve të ndryshme, Natasha Kandiq, drejtoresha e Fondit per të Drejtën Humanitare në Beograd, kishte bërë të kundërtën. Të shtunën në mbrëmje ajo e kishte kaluar kufirin e Merdarit për t'iu bashkuar kosovarëve në festën më të madhe të tyre, në kremtimin e Pavarësisë së Kosovës.
"Unë kam arsye që të vij këtu, sepse kam shumë miq këtu në Kosovë dhe kjo ditë është e një rëndësie të veçantë për njerëzit e këtushëm, kështu që vendosa të vij dhe të jem e pranishme në këtë ditë të rëndësishme", ka thënë Kandiq, avokate e familjarëve
të viktimave të familjes Berisha të Suharekës, së cilës forcat policore dhe ushtarake ia vranë 49 anëtarë në mars 1999...

EPOKA E RE
Buri të forta dhe një varg i gjatë makinash ishin mikpritësit tanë në Mitrovicën jugore, aty ku banojnë shqiptarë. Në krye të vargut, makina me flamurin kombëtar, por edhe me flamurë amerikanë, të Bashkimit Evropian, popullonin sheshin kryesor të Mitrovicës që mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari. Ndodheshim në Mitrovicë, qyteti ku në fillim të një shekulli u vendos ushtria angleze, më pas ushtria italiane dhe ajo gjermane, ndërsa mbi tokën e saj kalonte një ndër hekurudhat e para në Ballkan që lidhte Serbinë me shtete të tjera të lindjes...

INFOPRESS
Në mbarë Shqipërinë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është shënuar me festime madhështore, të organizuara nga institucionet lokale dhe me iniciativa të vetë qytetarëve. Një ka qenë vlerësimi që shqiptarët e matanë kufirit kanë vënë në dukje në këtë datë, pavarësia e Kosovës përbën një përmirësim të gabimit historik. Nuk kanë munguar as mesazhet e krerëve të shtetit shqiptar, presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha, si dhe përfaqësuesve të spektrit politik të Shqipërisë...

LAJM
17 shkurt 2008 është data kur Kosova u bë shtet. Kjo ditë me shkronja të arta do të shënohet në kalendarin e shtetit më të ri në botë – Republika e Kosovës. Kjo datë shënon fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Këtu caktohet vija ndërmejt Kosovës me status të padefinuar dhe Kosovës së pavarur. Këtë ditë fillon një jetë tjetër, jo vetëm për qytetarët në këtë shtet, por edhe për tërë rajonin. Kosova do të jetë faktor stabilizimi. Vendimi i Kuvendit të Kosovës, pa asnjë dilemë, është historik...

NACIONAL
Edhe pse në mot të ftohtë, mijëra qytetarë kishin vërshuar sheshin "Nëna Terezë" gjatë tërë ditës. Pamje të njëjta raportoheshin nga tërë Kosova. Festa e nisur dje përfundoi vetëm në orët e vona të mbrëmjes së 17 shkurtit, më saktë, një orë pas shpërthimit të fishekzjarreve në kryeqytet. Përfundoi një punë e nisur shumë dekada më parë. Ndonëse me shumë të meta në organizimin e saj institucional, festës megjithatë nuk iu zbeh madhështia...

KOSOVA SOT
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka përshëndetur të dielën pasdite deklaratën e institucioneve të Kosovës, mbi bazën e së cilës Kosova shpalli pavarësinë e saj. "Ky çast është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe fqinjët e saj, rajonin tonë dhe Evropën, sepse zgjidh përfundimisht halkën e fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ngërçin e fundit politik, ushtarak e diplomatik, si dhe krijon një hapësirë demokratike, sigurie, paqeje dhe stabiliteti afatgjatë", tha presidenti Bamir Topi.


XS
SM
MD
LG