Ndërlidhjet

logo-print

Serbët grisin flamujt shqiptarë dhe amerikanë


Pamje nga protesta në Mitrovicë

Pamje nga protesta në Mitrovicë

Mijëra serbë kanë protestuar në pjesën veriore të Mitrovicës duke kundërshtuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Protestuesit kanë djegur flamurin shqiptar dhe të Shteteve te Bashkuara të Amerikës.


Shpallja e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës ka bërë që mijëra serbë të mblidhen sot për të protestuar kundër këtij akti në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Jetën e japim, Kosovën nuk e japim”, ka qenë parulla më e brohoritur nga protestuesit serbë. Gajtë protesëts ata kanë djegur flamurin shqiptar dhe atë të SHBA-ve.

Organizatorët e protestës kanë thënë se me tubimin e sotëm është dërguar porosi e qartë se serbët e Kosovës janë pjesë e shtetit serb, se janë qytetarë të barabartë të tij dhe se Kosova është pjesë e Serbisë.

Kreu i Asociacionit të Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, Marko Jakshiq, i ka kërkuar sot Qeverisë së Beogradit që të angazhohet me të gjitha mjetet për mbetjen e serbëve në Kosovë.

“Nga qeveria jonë, nga presidenti presim që të thonë qartë se nëse shqiptarët ushtrojnë dhunë mbi serbët, nëse nisen kah Mitrovica, nëse nisen ka vendbanimet e banuara me serbë, duhet të tregojnë nëse Serbia do të përdorë forcën ushtarake ose jo. Serbia duhet të përdorë të gjithë forcën ushtarake dhe krejt çka ka, që ta mbrojë popullin e saj që jeton në Kosovë”, tha Jakshiq.

Jakshiq ka theksuar se Qeveria në Beograd nuk duhet të nënshkruajë kurrfarë marrëveshjeje për asociim-stabilizim me BE-në, sepse kjo do të ishte tradhti.

Në rast se kjo megjithatë ndodh, serbët e Kosovës, sipas tij, do të organizojnë protestë masive para selisë së presidencës së Serbisë, e cila do të zgjasë derisa Kuvendi i Serbisë mos ta hedhë poshtë këtë marrëveshje.

“S’ka logjikë që të nënshkruajmë marrëveshje me BE-në, me ata që kanë okupuar vendin tonë, pasi në këtë mënyrë pranojmë okupimin. Nuk ka logjikë të nënshkruajmë marrëveshje me ata që e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Jakshiq.

Kryetari i Listës Serbe në Kuvendin e Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka kërkuar nga serbët e tubuar që të mos e lëshojnë vendin, sepse vetëm në këtë formë do ta ruajnë Kosovën.

“Është shumë me rëndësi, që këtu në veriun e Kosovës, në enklavat tona në Metohi, të gjithë të qëndrojmë në shtëpitë tona. Kështu mbrohet interesi kombëtar serb, kështu mbrohet Kosova dhe ne jemi popull i madh dhe kemi pritur 500 vjet që ta kthejmë Kosovën në territorin shtetëror serb”, tha Mandiq.

Zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës thonë se në protestë kanë marrë pjesë 7 deri në 8 mijë persona dhe se protesta ka kaluar qetë dhe pa probleme.

Në anën tjetër, tre deputetë serbë, Sllavisha Petkoviq e Vlladimir Todoroviq nga Partia Demokratike Serbe, si dhe Mihailo Shqepanoviq nga Partia Popullore Serbe, kanë bërë të ditur sot se do të braktisin Kuvendin e Kosovës për kohë të gjatë, për shkak se, siç kanë thënë, nuk u është lejuar që të flasin në senacën e djeshme të Kuvendit.

Dhjetëshja serbe në Kuvend është e ndarë, pasi që deputetë tjerë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e shpalljes, por në institucione po.

XS
SM
MD
LG