Ndërlidhjet

logo-print

SHBA-të njohin pavarësinë e Kosovës


Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice

Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice.


"Shtetet e Bashkuara sot njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Ne i dërgojmë urimet tona popullit të Kosovës me këtë rast historik", thuhet në deklaratën e sekretares amerikane të shtetit, Condoleezza Rice.

"Presidenti Bush i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për të vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel shtetesh", tha Rice, e cila gjendet në Kenia.

"Derisa Kosova sot fillon një jetë të re si shtet i pavarur, SHBA-të premtojnë të mbeten mik dhe partner i ngushtë", tha Rice.
Ajo ka përsëritur edhe miqësinë ndaj Serbisë, si aleat në dy luftëra botërore.

Rice tha se SHBA-të do të punojnë me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, për të zbatuar planin e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën, siç e parasheh plani i të dërguarit të OKB-së, Martti Ahtisaari.

"Në dritën e konflikteve të viteve '90, pavarësia është opsioni i vetëm që nxit stabilitetin në rajon", tha Rice, e cila theksoi se Kosova është një rast special, pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë dhe të Rusisë.
"Kosova nuk mund të shihet si precedent për ndonjë pjesë tjetër të botës sot", tha shefja e diplomacisë amerikane, Condoleezza Rice.

Presidenti Bush do të flasë mëngjesin e nesërm për Kosovën, bëjnë të ditur burimet zyrtare amerikane.

Afganistani, Shqipëria, Turqia, Franca e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës, derisa Britania ka deklaruar se qeveria ka rënë dakord për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pjesa më e madhe e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian pritet ta njohë në 48 orët e ardhshme. Në mesin e vendeve të BE-së që kundërshtojnë pavarësinë janë Spanja, Rumania, Greqia, Qiproja dhe Sllovakia

XS
SM
MD
LG