Ndërlidhjet

DUGOLLI: AKM-ja TË SHNDËRROHET NË AGJENCION QEVERITAR


Bujar Dugolli, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, ministria të cilën ju e udhëhiqni ka të bëjë me disa nga standardet kryesore që Kosova duhet t’i përmbushë deri në mesin e vitit 2005. Cilat janë fushat prioritare në të cilat ju jeni përqendruar për realizimin e këtyre standardeve?

BUJAR DUGOLLI
Është e vërtetë se kjo ministri është boshti i zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe duke marrë parasysh se kjo ministri deri tani ka qenë e ngulfatur për shkak të mosbartjes së kompetencave në fushë të ekonomisë, mund të them se nëse vazhdon një trend i tillë do të ketë vështirësi në përmbushjen e standardit për ekonomi. Ministria që drejtoj dhe Ministria për Ekonomi dhe Financa, do të jenë ministri që do të punojnë për arritjen e këtij standardi, por para së gjithash duhet të ketë një qasje pragmatike dhe kooperative ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës, sa i përket procesit të privatizimit dhe rreth Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri Haradinaj në paraqitjen e programit të qeverisë ka thënë se do të kërkojë që AKM të mbetet një trup këshillues, ndërsa privatizimi të udhëhiqet nga ministria. Cilat janë planet tuaja për të realizuar këtë synim të qeverisë?

BUJAR DUGOLLI
Edhe programi i qeverisë së Kosovës, por edhe i ministrisë është që gradualisht AKM-ja të shndërrohet në agjencion që do të jetë i qeverisë së Kosovës, agjencion qeveritar, ku bartës i këtij procesi do të jetë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe ministritë e tjera që kanë implikime në këtë çështje, si ajo e Ekonomisë dhe Financave. Ne punojmë në këtë drejtim. Së shpejti do ta kemi planin tonë, para se të fillojmë të marrim pjesë në bordin e AKM-së, se çfarë të bëhet me këtë agjencion para se t’i skadojë mandati dhe pasi t’i skadojë mandati. Deri në skadim të mandatit mendojmë se roli i vendorëve duhet të rritet dhe të jetë rol i barabartë me ndërkombëtarët, sepse vetëm kështu mund të ketë sukses. Jo të jetë një rol rekomandimesh, siç kanë dhënë deri tani ministrat e qeverisë në bordin e AKM-së, por të jetë rol vendosës bashkë me faktorin ndërkombëtar, të ketë një dinamizëm dhe transparencë ky proces dhe të hartohet një meç i tërë i privatizimit dhe jo vetëm raunde njëra pas tjetrës pa pasur një strategji të qartë. Thjesht, do ta bëjmë një strategji se cilat ndërmarrje dhe cilat komplekse janë që mund të bëhen më shpejt, të hiqen dilemat rreth titullarit të pronës dhe gradualisht, me skadimin e mandatit, agjencioni të jetë i menaxhuar nga vendorët, që thjesht të kosovarizohet ky agjencion dhe çështja e privatizimit të mbyllet me sukses. Ky është angazhim i ministrisë sonë, por është edhe në programin e qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po mirë, sa pritni se do të përmbushet si standard privatizimi, meqenëse koha është mjaft e shkurtër, ndërkohë që synimet tuaja për bartjen e kompetencave duket sikur nuk përputhen mjaft me kohën e mbetur, domethënë nuk ka mjaft kohë për ta bërë këtë?

BUJAR DUGOLLI
Ne mbetemi me shpresë në zhvillimet pozitive që kanë filluar në UNMIK, me ardhjen e zotit Petersen dhe zotit Rosin, që kanë ngjallur një shpresë në institucionet tona se dinamika e zhvillimeve politike, por edhe bartja e kompetencave do të jetë shumë më e madhe. Prapë, është me shumë rëndësi ardhja e përfaqësuesit të ri në shtyllën katër të UNMIK-ut, kush do të jetë ai njeri dhe sa do të jetë kooperativ me ne. Është me rëndësi se kush në këtë fazë tranzitore do të jetë udhëheqës i bordit të AKM-së dhe thjesht kjo është në interes të dyanshëm. Unë mendoj se po të jetë një qasje e re që ka filluar pas ndërtimit të institucioneve të reja dhe pas ardhjes së zotit Petersen, besoj se shumë shpejt do të vërehen efektet pozitive në këtë proces. Edhe pse të gjithë jemi të interesuar që mesi i vitit 2005 ta gjejë Kosovën në rrugën e vet të duhur dhe me një progres të dukshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, cila është strategjia juaj në raport me tregtinë me jashtë në kohën kur statusi i papërcaktuar i Kosovës paraqet një pengesë për këtë?

BUJAR DUGOLLI
Në programin e ministrisë është që të vazhdohet një politikë e liberalizimit të tregut, të bëhen marrëveshje për tregti të lirë me vendet fqinje në rend të parë dhe pastaj të synohet që kjo të bëhet edhe me vendet e tjera të rajonit dhe të Evropës. Ne jemi duke punuar që kjo të arrihet sa më shpejt me Maqedonisë. Jemi të interesuar që shumë produkte të jenë pjesë e këtyre marrëveshjeve, pasi deri tani ka pësuar dëme buxheti i Kosovës nga mosliberalizimi i tregut, ku shumë vende kanë qenë të favorizuara për tregti me Kosovën dhe buxheti i Kosovës është dëmtuar. Mendoj se kjo është me interes për Kosovën dhe për rajonin dhe u pritet rruga kontrabandistëve apo institucioneve të ndryshme tregtare që duan të mos ketë një kontroll. Ne jemi të interesuar që shumë produkte që prodhohen në Kosovë të jenë të favorizuara për tregun e Kosovës, sidomos prodhimet bujqësore sezonale dhe do të jemi të kujdesshëm sa u përket marrëveshjeve për tregti të lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në këtë plan zoti ministër, cila është strategjia juaj për zhvillimin e industrisë në Kosovë?

BUJAR DUGOLLI
Ne do të jemi të përkushtuar kryesisht në zhvillimin e industrisë së vogël dhe të mesme, pasi industria e rëndë, e madhe siç është bërë në kaluarën, kërkon investime dhe punë të madhe për t’u bërë, edhe pse ne nuk jemi indiferentë ndaj industrisë së metaleve e të tjera, por është industri që kërkon investim të madh. Industria ushqimore ka filluar të japë rezultate. Normalisht do të punojmë që ajo të vazhdojë, si edhe industritë e tjera, si ato plastike, të lëkurës, të këpucëve e të tjera, që do të thotë të favorizohen industritë e vogla që kanë filluar të lulëzojnë në Kosovë. Mendojmë që së shpejti të hapim edhe agjencionin për standardizim dhe akreditim, i cili së shpejti do ta ketë mbështetjen ligjore dhe do të favorizojë prodhimet industriale cilësore, që përmbajnë standarde të Bashkimit Evropian dhe natyrisht do të pengojë prodhimet që nuk kanë lejen për treg.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG