Ndërlidhjet

B. KOSUMI: PRONAT E UZURPUARA DO T'U KTHEHEN PRONARËVE


Bajram Kosumi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni bashkëkryesues i grupit për standardet që punon në çështjet pronësore. A mund të na flisni për prioritetet e angazhimeve tuaja dhe të grupit punues së qeverisë së Kosovës në këtë lëmi, kryesisht duke u përqëndruar në gjashtë muajt e ardhshëm?

BAJRAM KOSUMI
Është e vërtetë se qeveria e re në Kosovë gati tërë energjitë e veta i ka përqëndruar në atë që quhet realizim i standardeve për Kosovën, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2005. Po them fillimisht mënyrën se si ne e kemi kuptuar, edhe unë, edhe qeveria. Nuk është ky projekt si një obligim, megjithëse është edhe argument, por është si pjesë e procesit që ne do ta kryejmë për veten tonë më së pari, pastaj edhe si argument për bashkësinë ndërkombëtare që ne kemi ecur përpara. Ky është orientimi politik i qeverisë në këtë çështje. Sa i përket standardit të gjashtë, grupi punues e ka rritur tempon e punës, edhe grupi punues brenda ministrisë, edhe grupi ndërministror. Në bashkëpunim me kryeministrin zotin Haradinaj, kemi rritur tempon e punës në realizimin e këtij standardi. Në fakt ky është ndoshta standardi më i vështirë për realizim, sepse prek drejtpërdrejt interesat e njerëzve që janë krijuar para ose menjëherë pas luftës, prek fatin e familjeve të ndryshme që janë vendosur në prona të huaja, etj. Por ne do të bëjmë hapa të fortë përpara për ta realizuar këtë standard, sepse në një shoqëri demokratike nuk mund të mendohet që dikush ka të drejtën, ose gëzon të drejtën për të uzurpuar pronën e huaj. Ne kemi bërë lëvizje në këtë drejtim; grupet e punës janë angazhuar, kanë takime të rregullta, janë evidencuar përparimet që janë bërë më herët dhe janë shënuar në listën apo agjendën e standardit numër gjashtë për çështjet e pronës, me ngjyrë të gjelbërt që është pozitive, si dhe janë evidentuar pikat kritike ku ende nuk janë bërë përparime dhe janë duke u hartuar strategji e duke u gjetur mënyra, modele, por edhe financa, që t'i realizojmë edhe ato.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrë në përgjithësi zoti ministër, sa është problematike çështja e të drejtës pronësore në Kosovë?

BAJRAM KOSUMI
Është problematike edhe pse them se s'do duhej të ishte problematike. Më lejoni vetëm të korrigjoj një pikëpamje të gabuar. Çështja e pronës nuk është problematike vetëm pas luftës në Kosovë, por është problematike prej gati 100 vjetësh. Ka qytetarë të Kosovës shqiptarë që e kanë blerë katër herë pronën e tyre pa e shitur asnjëherë dhe ky është problem. Problemi i pronës daton më herët, mirëpo ne nuk mund të merremi tani e t'i zgjidhim të gjitha problemet e historisë. Ne duhet të zgjidhim problemet e krijuara pas luftës. Një numër i madh i banesave, pronarët e të cilëve janë serbë, janë të uzurpuara nga qytetarë shqiptarë, ashtu sikurse një numër i banesave të pronarëve shqiptarë në veri të Kosovës, janë të uzurpuara nga banues serbë. Disa prej atyre njerëzve e kanë bërë për nevoja, sepse u janë djegur shtëpitë gjatë luftës dhe nëse u gjen zgjidhje të shkojnë diku, ata e lirojnë banesën, ndërsa një pjesë e madhe e tyre e kanë bërë për përfitime personale. Pra nëse do quheshin ndryshe përfitues të situatës së krijuar menjëherë pas luftës. Ne do tentojmë të gjejmë mënyra, modele, që prona, ashtu si në çdo vend të civilizuar, të jetë e shenjtë edhe në Kosovë. Prona është e paprekshme pavarësisht prej pronarit. Pronari duhet ta gëzojë pronën e vet dhe kjo duhet të bëhet edhe në Kosovë. Kjo është çështje thelbësore e ligjit dhe ai që nuk dëshiron ta pranojë këtë çështje të ligjit, ai do të bjerë ndesh me ligjin dhe ne do të veprojmë sipas ligjit. Besoj se një pjesë të madhe të këtyre problemeve do t'i zgjidhim. Vështirësi ka. Së pari vështirësitë janë kryesisht të natyrës financiare; vështirësitë e dyta janë të natyrës së informacioneve. Ne nuk kemi informata të sakta për një numër të madh të banesave, a kanë pronarë apo nuk kanë pronarë, apo i kanë nga tre, katër, pesë pronarë "legjitimë" të paraluftës të gjithë dhe regjistrat e kadastrave që i ka plaçkitur Serbia gjatë luftës dhe ne nuk dimë kush ku i ka pronat. Megjithatë besoj se dalëngadalë do arrijmë të plotësojmë kuadrin e infrastrukturës, që ne të kemi gjashtëmujorin e parë qasje pozitive në këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë në kuadër të qeverisë së re ju jeni zgjedhur edhe Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë aspekt cilat janë prioritetet, angazhimet tuaja gjatë mandatit të ardhshëm?

BAJRAM KOSUMI
Dua të them se kemi shumë ambicje. Vetëm për vitin 2005 kemi shumë ambicje, kemi shumë projekte por edhe kemi shumë njerëz të vendosur që t'i realizojnë ato. Mendoj se disa prej tyre me të vërtetë do të bëjnë gjithshka që t'i realizojnë. Po përmend disa prej tyre: çështja e hartimit të planifikimit hapësinor të Kosovës, çështja e zgjidhjes së problemit të ujit të pijshëm në shumë pjesë të Kosovës, çështja e pastrimit apo riciklimit të ujërave të zeza, që tashmë në disa vende ka filluar si për shembull në Skënderaj, do të vazhdohet me programin për banimin social, do të tentojmë të ndërtojmë edhe në katër pesë qytete të tjera objektet për banim social, do të shikojmë edhe zgjidhjen e disa problemeve të tjera që lidhen me banimin social, banimet joformale, etj. Këto janë disa prej projekteve themelore në të cilat ne do të punojmë fuqimisht gjatë vitit 2005. Disa do t'i realizojmë brenda këtij viti, disa pak më vonë, por me të vërtetë janë projekte ambicjoze. Dua të ndaj thelbin e asaj që është se ne po kalojmë në ministri, besoj edhe në qeveri, nga planifikimi afatshkurtër i politikave tona, në një planifikim afatgjatë. Për shembull, para një viti apo para disa kohëve, qeveria ose ministritë kanë bërë plane të punës për një muaj, dy muaj, gjashtë muaj. Tani ne jemi në faza të mira të zhvillimit të planeve afatgjata 10 vjeçare, 15 vjeçare, 20 vjeçare. Plani hapësinor i Kosovës është i tillë, plani i ujërave është i tillë, ose plani i veprimit në mjedis, që është një prej planeve më serioze të ministrisë sonë, po ashtu është një projekt afatgjatë disavjeçar. Ne po krijojmë bazat e politikave parimore që do të ndjekë ministria në të ardhmen, pavarësisht se kush është ministër.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG