Ndërlidhjet

KATASTROFA TSUNAMI GJALLËRON SHPRESAT PËR SRI LANKËN DHE INDONEZINË


Robert McMahon

Dy zonat më të goditura nga Tsunami në Oqeanin Indian, Sri Lanka dhe provinca Açeh e Indonezisë, një kohë të gjatë janë pllakosur nga konfliktet civile.
Por, disa shenja të bashkëpunimit mes qeverive dhe kryengritësve, bënë që zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të shfaqin shpresë për paqen, e cila do të lindte në mesin e përpjekjeve humanitare.
Por historia e fundit ka treguar se gjasat janë të pakta që e ashtuquajtura "diplomaci e katastrofave" të mund të sjellë një paqe të qëndrueshme midis palëve ndërluftuese.
Katastrofa e Tsunamit nxiti bashkëpunim të jashtëzakonshëm midis Sri Lankës dhe Indonezisë, vende këto që një kohë të gjatë kanë qëndrime armiqësore.
Lëvizja kryengritëse në Indonezi për Çlirimin e Açehut, e cila rreth 30 vjet lufton me forcat qeveritare në verilindje të vendit, shpalli armëpushim, që agjencitë humanitare të mund t'i shpërndajnë ndihmat. Qeveria ndërkaq i zbuti masat e sigurisë dhe ushtrinë e angazhoi në operacionet humanitare.
Në Sri Lanka, qeveria i ftoi krerët e grupit separatist të Tigrave Tamilë t'i koordinojnë përpjekjet humanitare me komitetin e emërtuar nga presidenti Chandrika Kumaratunga.
Koordinatori i Kombeve të Bashkuara për ndihma Jan Egeland, shfaqi shpresën se gjestet e tilla, të nxitura nga ndihmat ndërkombëtare, mund të jenë fillim i një procesi të pajtimit.
"Shfaqja e paparë e mëshirës dhe solidaritetit kombëtar dhe atij ndërkombëtar, është një masë për ndërtimin e besimit, e cila tani do të duhej të sjellë paqen e qëndrueshme te të gjitha këto shoqëri", tha Egeland.
Por, përkundër ngjalljes së shpresave, shumë pak zgjidhje të konflikteve kanë dalë nga katastrofat natyrore.
Përjashtim bën pajtimi greko-turk. Tërmeti i gushtit të 1999 që goditi Turqinë dhe ai i shtatorit të po atij viti që goditi Greqinë, bënë që këto vende të dërgojnë ekipe të shpëtimtarëve te njëri tjetri dhe kështu u hap rruga për një varg marrëveshje dypalëshe.
Por kjo duhet parë si rrethanë e rrallë, thotë David Phillips, ekspert për zgjidhjen e konflikteve në Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Nju Jork.
"Asokohe ky ishte një moment unikal. Kishte edhe angazhim dinamik të dy vendeve, që dallon nga ajo që shohim në Açeh të Indonezisë dhe në Sri Lankë", thotë Phillips, duke shtuar se megjithatë, shkalla e lartë e katastrofës në provincën Açeh mund t'i bëjë palët të bashkëpunojnë.
"Ka shpresa se qeveria dhe shoqëria civile në Açeh mund të bashkëpunojnë në rehabilitimin dhe rindërtimin e vendit", thotë Phillips.
Eugene Martin, ekspert për Azinë Juglindore nga Instituti Amerikan për Paqe, thotë se aktorët ndërkombëtarë mund ta përshpejtojnë paqen gjatë procesit të rindërtimit në të dy vendet.
"Ndoshta ndonjë ndihmë ndërkombëtare, mos them ndërmjetësim, mund të ndihmojë", thotë Martin.
Jeswald Salacuse është një ekspert tjetër për zgjidhjen e konflikteve. Profesori i Diplomacisë nga Universiteti Taft në Masaçusets thotë se ndikimi i katastrofave natyrore në konfliktet e gjata, zakonisht është kalimtar.
"Ato krijojnë një mundësi për momentin. Është një lloj dritare, e cila zakonisht nuk rri hapur shumë gjatë që palët ta shfrytëzojnë. Mendoj se kur ndihmat të përfundojnë, atëherë për fat të keq, grindjet e vjetra do të rishfaqen", përfundon Salacuse.


XS
SM
MD
LG