Ndërlidhjet

PETERSEN: BISEDIMET NË BEOGRAD PËR DECENTRALIZIMIN DHE TË ZHDUKURIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, ka thënë se decentralizimi do të vazhdojë të mbetet një proces i udhëhequr nga Kosova dhe autoritetet e saj. Këto deklarata zoti Petersen i ka bërë sot pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se decentralizimi do të bëjë që pakicat të integrohen edhe në jetën institucionale të Kosovës.
Petersen është shprehur i kënaqur nga vendosmëria e qeverisë për të nisur pilot projektet për decentralizimin, por ka thënë se është me rëndësi që serbët e Kosovës të marrin pjesë në hartimin e planeve për pilot-projektet. Ai tha se askush më nuk e diskuton rolin këshilldhënës të Beogradit, pasi nëse këshillat e Beogradit do të jenë praktike, grupi punues do t’i përfshijë në plan.
"Këshillat e përdorshme të Beogradit dhe idetë e tilla për decentralizimin, gjithmonë do të jenë të mirëseardhura, mirëpo nuk ka ndryshim dhe dyshim se ky është proces i udhëhequr nga Kosova dhe autoritetet e saj," tha Petersen, për të shtuar se kjo do të bëhet me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Kryeministri Haradinaj tha se decentralizimi do të bëjë që serbët të integrohen në jetën institucionale të Kosovës:
"Do të veprojmë që në Kosovë të vërtetohet që përmes reformimit të pushtetit lokal dhe përmes organizimit të vetë situatës me pushtetin lokal në Kosovë, do të realizohen të drejtat e pakicave, por jo vetëm, pasi do të ndodhë edhe integrimi i pakicave në jetën institucionale në Kosovë", tha kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke bërë të ditur se qeveria në përpjekje për përfshirjen e serbëve në institucione, po zhvillon një bashkëpunim në kuadër të strukturave qeverisëse.
"Kemi në plan që të zhvillojmë biseda dhe të prezantojmë edhe të arriturat që kanë ndodhur rreth planit të decentralizimit në Kosovë dhe angazhimet që i merr qeveria e Kosovës përmes grupit punues, ku serbët e Kosovës janë të ftuar të marrin pjesë, por edhe përmes linjave të tjera," tha Haradinaj, duke vlerësuar se bashkëpunimi ekziston në disa nivele, sidomos nëpër ministritë veç e veç.
Ndërkohë, zoti Petersen tha se çështja e decentralizimit si dhe të zhdukurit do të jenë pjesë e bisedave të tij me kryeministrin e Serbisë Koshtunica më 17 janar në Beograd:
"Mendoj se është e papranueshme nëse kushdo nga ne lejon që kjo çështje të mbetet peng i zgjidhjes së çështjeve më të mëdha politike," tha Jessen Petersen, duke e çmuar aktivitetin e qeverisë në këtë plan dhe duke premtuar se do të bëjë përpjekje që të shtyjë autoritetet e Beogradit që të ndriçojnë fatin e të zhdukurve.
XS
SM
MD
LG