Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI KOSHTUNICA MERR PJESË NË MESHËN E KRISHTLINDJEVE ORTHODOKSE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në vendbanimet me popullatë serbe në Kosovë, besimtarët orthodoksë kanë kremtuar Krishtlindjet orthodokse. Liturgjia qendrore është mbajtur në Patrikanën e Pejës, me meshën solemne mbajtur nga kreu i Kishës Orthodokse Serbe patriku Pavle, ku mes besimtarëve të shumtë merrte pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Në fjalimin e tij në meshën solemne, patriku Pavle ka thënë se tani të gjithëve u duhet paqja:
"Paqja u duhet edhe serbëve edhe shqiptarëve dhe të gjithë njerëzve që jetojnë në këto hapësira. Atyre u duhet liria dhe drejtësia," ka thënë kreu i Kishës Orthodokse Serbe, patriku Pavle. Ai në fjalimin e tij ka theksuar posaçërisht situatën e vështirë në të cilën sipas tij jetojnë serbët.
Në meshën solemne të Krishtlindjeve në Patrikanën e Pejës ishte i pranishëm edhe kryeministri i Serbisë Vojislav Koshtunica, pjesëmarrja e të cilit është lejuar nga UNMIK-u, megjithëse vizitën e tij ai e ka paralajmëruar me shumë vonesë.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Klaris Pastori tha se shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ka marrë mbrëmë një kërkesë nga zyra e kryeministrit të Serbisë Koshtunica, i cili kërkonte të bëjë një vizitë private për të marrë pjesë në ceremoninë fetare në Pejë:
"Pas bisedimeve me Institucionet vendore dhe me KFOR-in, UNMIK-u u pajtua se kjo vizitë mund të bëhet, edhe pse koha e njoftimit ka qenë tepër e shkurtër," tha zëdhënësja e UNMIK-ut Klaris Pastori, për të shtuar se arsyeja për ta lejuar këtë vizitë ishte respektimi i kësaj feste. Vizitat e tilla zyrtarët e Serbisë duhet t’i paralajmërojnë së paku 48 orë më parë. Mirëpo, zëdhënësja Pastori tha se kjo ishte një vizitë krejtësisht private dhe Koshtunica nuk do të ketë takime apo kontakte të tjera me përfaqësues të UNMIK-ut apo me zyrtarë të Kosovës.
Ardian Gjini, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ka konfirmuar për Evropën e Lirë se UNMIK-u e ka njoftuar qeverinë për këtë vizitë:
"Mbrëmë jemi informuar nga UNMIK-u se zoti Koshtunica do ta vizitojë sot Kosovën. Kjo është një vizitë private e tij, do të thotë nuk ka takime as më zyrtarë të UNMIK-ut dhe as të Kosovës. Ne e kuptojmë se arsyeja e vizitës janë Krishtlindjet Orthodokse. Ka pasur edhe zyrtarë të tjerë të vendeve të tjera që kanë ardhur në këto ngjarje private dhe kjo ka qenë e tëra."
Në anën tjetër, zëdhënësja e UNMIK-ut, Klarsi Pastori tha se konsultimet me KFOR-in në raste të vizitave të tilla janë të domosdoshme, për shkak të sigurisë, ndërsa Petersen këtë herë ka dashur të këshillohet edhe me institucionet vendore:
"PSSP është i interesuar jo vetëm për të biseduar, por edhe për të jetësuar një partneritet me institucionet e Kosovës, prandaj është shumë normale që kryeadministratori të konsultohet me institucionet vendore për shumë çështje," tha zëdhënësja Pastori.
Sidoqoftë, vizita e kryeministrit të Serbisë Koshtunica në Kosovë bëhet vetëm pak ditë para takimit të paralajmëruar për 17 janar në Beograd ndërmjet tij dhe kryeadministratorit Petersen. Sipas këtij të fundit, takimi do të përqendrohet në çështjet e decentralizimit dhe riaktivizimit të grupit të përbashkët punues për të zhdukurit. Petersen dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kanë thënë se procesin e decentralizimit do ta udhëheqë Prishtina, ndërsa rekomandimet e vlefshme nga Beogradi do të jenë të mirëseardhura. Sa i përket çështjes së të zhdukurve, Petersen dhe Haradinaj kanë tërhequr vërejtjen se është e papranueshme që kjo çështje të mbetet peng i zgjidhjes së çështjeve më të mëdha politike.

XS
SM
MD
LG