Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: ASNJËRA PALË NUK KA INTERES PËR NJË ATMOSFERË NEGATIVE


"Sidomos që nga 11 shtatori 2001, qeveria e Shteteve të Bashkuara mendon se rreziku kryesor për sigurinë e saj është terrorizmi ndërkombëtar nga ekstremistët islamikë. Ndërsa, shumë në Bashkimin Evropian janë të shqetësuar me çështjet se si ta organizojnë Evropën dhe BE-në, me çështje të varfërisë globale, të ambientit e të tjera", thotë, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, zoti Solana, këtë javë gjatë qëndrimit të tij në Amerikë ishte optimist lidhur me marrëdhëniet trans-atlantike. Ndër të tjerët ai u takua edhe me zonjën Kondoliza Rajs. Sipas jush çfarë janë parashikimet për këto raporte gjatë këtij viti?

PATRICK MOORE
Ky takim ndërmjet zotit Solana dhe zonjës Rajs, kishte për qëllim zhvillimin e një atmosfere të mirë dhe të marrëdhënive të mira pune për katër vitet e ardhshme. Çështja qëndron në faktin se Kondoliza Rajs ka patur marrëdhënie të përzjera me aleatët tradicionalë të Amerikës në Evropën Perëndimore gjatë katër viteve të kaluara. Të gjithë e dinë se kjo është një administrata e dytë e presidentit Bush, një administratë e re, në të cilën ajo do të zëvendësojë Kolin Pauellin në postin e Sekretarit të shtetit, dhe asnjëra nga palët nuk ka interes për një atmosferë negative apo të tendosur. Prandaj të gjithë po përpiqen të jenë të mirë ndaj njëri-tjetrit dhe të zhvillojnë marrëdhënie të mira pune për katër vitet e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç shkruajti Fajnenshël Tajms, njëra nga çështjet kontestuese është plani i BE-së për tërheqjen e embargos në armatim ndaj Kinës. A do të shohim ndonjë kompromis për këtë çështje?

PATRICK MOORE
Le të shohim se për çfarë bëhet fjalë. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Evropian kanë patur një embargo armësh ndaj Kinës që prej vitit 1989, kur në qershor forcat kineze të sigurisë shtypën dhe vranë protestuesit paqësorë në qendër të Pekinit. Ishte incidenti në sheshin Tien An Men. Tash Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane, sidomos Suedia dhe besoj gjithashtu Holanda dhe Britania besojnë që ka ende shumë probleme të të drejtave njerëzore në Kinë dhe me këtë e arsyetojnë vazhdimin e embargos së armëve. Megjithatë Gjermania dhe Franca, të cilat janë vende të rëndësishme në prodhimin e armatimit, duan që të heqin embargon për të cilën thonë se është e vjetëruar dhe duan t'i shesin armë Kinës. Ajo që ndodh në këtë aspekt është se përveç idesë së ndihmesës së industrisë vendore të armëve, që veçanërisht ka të bëj me kancelarin Shrëder, kjo çështje për Francën është më e komplikuar. Nën presidentin Shirak, sidomos vitin e kaluar, është ndërtuar një partneritet strategjik me Kinën, qartësisht me qëllimin për të qenë një kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara. Pra pati një shkëmbim spektakular vizitash, pati stërvitje të përbashkëta mes marinës franceze dhe kineze. Ka një dyshim në Uashington, por jo vetëm në Uashington, që francezët kanë qëllime ushtarake meqë duan ta aprovojnë shitjen e armëve kinezëve. Në Lindjen e Largët asnjë shtet evropian nuk ka ndonjë përgjegjësi serioze sigurie, e sigurisht jo Franca dhe Gjermania, por Shtetet e Bashkuara, që janë një aleat i NATO-s i Francës, Gjermanisë dhe shumicës së vendeve të tjera evropiane, dhe aleati i afërt i SHBA-së, Japonia. Pra, këto dy shtetet e fundit kanë përgjegjësi. Prandaj thelbi i çështjes është që nëse kinezët fillojnë një konflikt për Tajvanin, në këtë konflikt me gjasë, do të përfshiheshin edhe Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, që, nga ana tjetër, mund të mendojnë se do të luftojnë një Kinë e cila është e armatosur me armët e anëtarëve të NATO-s, pra të Francës dhe të Gjermanisë! Kjo është ajo që i shqetëson amerikanët. Nuk duan të kenë një armik potencial të pajisur me armët e aleatëve të tyre. Gjermanët, francezët dhe disa prej njerëzve në burokracinë e Bashkimit evropian, para se gjithash zoti Solana, mendojnë që ka garanca sigurie të mjaftueshme që Bashkimi Evropian të tërheqë embargon, në mënyrë që Uashingtoni të mos ketë shqetësime se do të përballet me shitje serioze armësh. Nuk jam shumë i sigurt për këtë. Mendoj se shumë njerëz në Uashington nuk janë shumë të sigurtë për këtë fakt. Prandaj kur zoti Solana thotë se mendon që kundërshtimet e Shteteve të Bashkuara janë tejkaluar, mendoj se shpreh më tepër mendimin e tij personal sesa një situatë reale në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Diplomatë të lartë evropianë në Uashington thonë se ende nuk është e qartë situata lidhur me parashikimet e bëra nga zoti Solana. Sipas jush, cilat janë çështjet që më së shumti i ngarkojnë raportet ndërmjet Amerikës dhe Evropës?

PATRICK MOORE
Henri Kisinxher, i cili ishte Këshilltar për Sigurinë kombëtare dhe Sekretar shteti për presidentin Riçard Nikson rreth 30 vjet më parë, që mbetet një ndër ekspertët më të respektuar amerikanë në marrëdhëniet ndërkombëtare, shkroi në Njusvik, në nëntor, se çdo gjeneratë përballet me problemin se si të organizojë botën dhe për çdo gjeneratë kjo çështje e organizimit të botës shfaqet nën qiellin e çështjeve të veçanta. Ajo që kemi këtu është se kur shohim çështjet e veçanta si për shembull shitjen e armëve në Kinë ose pjesëmarrjen në konfliktin e Irakut, është thelbësore se si të organizohet bota. Dhe problemi këtu qëndron se që nga rënia e komunizmit në 1989-1991, Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët tradicionalë në Evropën perëndimore, nuk kanë pasur ndonjë këndvështrim të përbashkët se cili është rreziku për ta dhe si ta përballojnë atë. Prandaj sidomos në vitet e fundit, që nga 11 shtatori 2001, qeveria e Shteteve të Bashkuara mendon se rreziku kryesor për sigurinë e saj është terrorizmi ndërkombëtar nga ekstremistët islamikë. Ndërsa shumë në Bashkimin Evropian janë të shqetësuar me çështjet se si të organizojnë Evropën dhe BE-në, me çështje të varfërisë globale dhe ambientit, ose në rastin e disa hartuesve të politikave franceze, ose të medias gjermane, problemi kryesor është si të manaxhohen Shtetet e Bashkuara. Duke trajtuar problemet ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë tendencën për të marrë udhëheqjen ose të veprojë në mënyrë unilaterale. Kjo, siç e dime, ka shkaktuar disa ndjenja nervoziteti ekstrem mes disa prej aleatëve tradicionalë të Shteteve të Bashkuara. Në këtë aspekt, shtetet e Bashkimit Evropian si Gjermania dhe Franca, do të donin të kishin veto të njëanshme ndaj politikës së jashtme amerikane, ose do të donin ti bënin Kombet e Bashkuara si një lloj qeverie botërore, që do të kontrollonte Shtetet e Bashkuara apo ndonjë shtet tjetër. Personalisht nuk mendoj se do të shohim ndonjëherë ndonjë qeverisje botërore, por kjo është mënyra se si flasin disa njerëz. Prandaj problemi për këta njerëz në Bashkimin Evropian që duan të sfidojnë Amerikën, është, për ndryshim nga Lufta e Ftohtë, se kontinenti Evropian nuk konsiderohet më aq strategjik sa dikur në sytë e Uashingtonit dhe së dyti për ndryshim nga ato kohë, aleatët strategjikë evropiano perëndimorë nuk duken të kenë ndonjë kontribut të rëndësishëm për të dhënë në çështjet ushtarake dhe të sigurisë dhe kjo do të thotë se zëri i tyre do të dëgjohej më pak në Uashington.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG