Ndërlidhjet

ENVER HOXHA, VETERAN?!


A duhet të ketë Enver Hoxha statusin e veteranit?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje ka zënë një vend të pamerituar në median elektronike dhe shtypin e përditshëm. Analistë, politikanë dhe veteranë japin opinionet e tyre dhe debati është kthyer edhe në një cështje “të mprehtë” politike, pasi janë përfshirë ministri i Mbrojtjes, opozita e deri te kryetari i shtetit.
Një kërkesë e vejushës së diktatorit Hoxha drejtuar zyrës së Presidentit e përcjellë në institucionet përkatëse dhe një vendim i ministrit të Mbrojtjes për refuzimin e statusit të veteranit, për shkelje procedurash, ka krijuar një stuhi mediatike valët e të cilit pa dëshirë kanë prekur edhe shumë njerëz që thjesht nuk duan t’ia dinë për këtë cështje, por ka ngritur edhe shqetësime për reagimet e diskutueshme. Hapjen e këtij debati lideri i opozitës Sali Berisha e konsideroi si një provokim të rëndë të “klikës në fuqi”. Ashpër kanë reaguar edhe përfaqësues të ish të përndjekurve politikë dhe forcave të djathta politike.
Komiteti i Veteranëve dhe disa përfaqësues të së majtës ekstreme thonë se si komandat i luftës, Enver Hoxhës i takon statusi i veteranit. Në një sondazh të një televizioni lokal në Tiranë, shumica e telefonuesve ishin në favor të dhënies së statusit të veteranit. Enver Hoxha drejtoi me dorë të hekurt dhe izoloi Shqipërinë nga bota, për dekada me radhë, ndaloi fenë, eleminoi kundërshtarët politikë e në vitet e fundit të jetës edhe të gjithë bashkëluftëtarët. Njerëzit vuanin në masë nga uria. Qindra dhe mijëra njerëz, kundërshtarë të regjimit humbën jetën në burgjet dhe kampet e internimit.
Në vendin më të varfër të Europës dhe që ka kaluar diktaturën më të egër të kontinentit, rezultate të tilla sondazhes, që edhe pse nuk realizohen në mënyrë shkencore, janë tregues i frustrimit me mënyrën se si drejtohet shteti sot. Nëse sot shohim që një ministër për të pirë një kafe në ambient publik lëviz me tre –
katër makina dhe një tufë truprojash, nëse praktikisht zvarritet dhe dhunohet e drejta e pronës private, nëse liria e fjalës nuk ka peshë, nëse humbet shpresën se gjërat do të shkojnë për më mirë, nëse korrupsioni kthehet në normë dhe rregull për shoqërinë, nëse një pensionist cdo muaj ka problem për të paguar faturat e dritave dhe ilaceve, atëherë rezultate të tilla sondazhesh nuk duhen lexuar si përkrahje për enveristët, por si reagim i dëshpëruar i njerëzve ndaj realitetit.
Ka disa Partia Komuniste të regjistruara në Shqipëri, por asnjë prej tyre nuk ka arritur kurrë të ketë përfaqësues të saj në Parlament, c’ka dëshmon për mungesë totale të mbështetjes për një kauzë që shqiptarët e kanë provuar në kurriz.
Më 1991, shqiptarët rrëzuan monumentin e Enver Hoxhës nga sheshet e Shqipërisë, 14 vjet më pas nuk është se Enveri, ka strehë në zemrat e njerëzve, përjashtuar një grusht fanatikësh dhe ithtarësh që ora e historisë i ka mbetur më 1944, por është detyrë e politikanëve që të shohin realitetin në sy dhe të lexojnë drejt reagimet e dëshpëruara.
Sa i përket debatit për statusin e veteranit, nëse Enver Hoxha do të ishte gjallë nuk do të shtrohej ky problem sepse do të ishte në gjyq me akuzën për gjenocid. Mbase vlen të përmendet rasti i gjeneralit Pinocet të Kilit, që prej vitesh, megjithëse në gjendje të rëndë shëndetësore nuk po i ndahet drejtësia nga pas. Nuk bëhet fjalë për të rishkruar historinë dhe për të qenë të kompleksuar, por me ato që ka bërë Enver Hoxha pas '44 i ka zhbërë kontributet në luftë.
Brezat e ardhshëm do t’a bëjnë debatin për Enver Hoxhën pa ndikimin e emocioneve. Ka një debat të përbotshëm, për faktin se pse popuj të ndryshëm adhurojnë më shumë diktatorët se sa demokratët, por emëruesi i përbashkët i rasteve të analizuara është fakti i kontributit që një diktator mund të ketë dhënë
për vendin e tij. Në rastin e Enver Hoxhës, nuk është e nevojshme të priten brezat e tjerë për t’a gjykuar objektivisht. Ata që kanë vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1991 e kanë shumë të qartë kontributin që regjimi komunist i drejtuar prej tij për 45 vjet dhe dhënë për zhvillimin e përparimin e vendit.
Megjithatë, ashtu si në anekdodën e të vdekurit që kërkoi t’i linin litarin jashtë varrit, cështja e statusit të
veteranit për Enver Hoxhën ia arriti të krijojë një
cunami mediatik.

Lutfi Dervishi
XS
SM
MD
LG