Ndërlidhjet

BITI E EPËRME – FSHATI KU SHQIPTARËT ENDE PO KTHEHEN ME VËSHTIRËSI


Rreth tri kilometra afër Shtërpces ndodhet fshati Biti e Epërme, i cili para luftës në Kosovë ishte një fshat me popullatë të përzier. Shqiptarët, që ishin shumicë, gjatë luftës u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe deri në maj të vitit të kaluar për pesë vjet të plota jetuan si refugjatë në Ferizaj dhe fshatra të tjera të rrethinës. Arsyeja ishte sa e thjesht po aq edhe e ndërlikuar për rrethanat e Kosovës. Serbët e këtij fshati dhe fshatrave të tjera fqinje që janë shumicë nuk i kanë lejuar fqinjët e tyre shqiptarë të kthehen në shtëpitë e tyre në këtë fshat.
Rexhep Bislimi, kryetar i këshillit për renovimin e shtëpive të këtij fshati, e përshkruan ditën kur fshatarët kanë bërë përpjekje të kthehen në shtëpitë e tyre:
"Krejt janë të rrafshume prej serbëve, krejt fshati ka qenë i rrënuar dhe ka ardhur policia e UNMIK-ut se ne duhet të kthehemi menjëherë aty prej nga kemi ardhur"
Mirëpo, në maj janë kthyer afro gjashtëdhjetë banorë të fshatit. Në fshat tani gjithçka krijonte përshtypjen e ndërtimit të shpejtë të shtëpive të dëmtuara gjatë dhe pas luftës. Disa nga organizatat humanitare u ndihmojnë banorëve të sigurojnë kushte që këtë dimër të kenë kulm mbi kokë. Rexhep Bislimi thotë se deri më tash janë rindërtuar rreth gjashtëdhjetë shtëpi, por nuk kanë mundur t’i bindin shumë nga ish-bashkëfshatarët që të kthehen:
"Rryma nuk është e rregullume, por edhe kanalizimi nuk është i rrezikuar, e dyta nuk kemi mundur t’u themi fshatarëve të kthehen patjetër pasi shkollë nuk ka pasur…"
Fëmijët shqiptarë të këtij fshati më parë kanë shkuar në shkollën e afërme në Biti të Ulët. Ajo shkollë tash është shndërruar në shkollë të mesme për mësim në gjuhën serbe. Kështu, fëmijët shqiptarë të fshatit Biti e Epërme nuk kanë zgjidhje tjetër pos ta ndjekin mësimin në shtëpitë private dhe në kushte të papërshtatshme. Megjithatë, Bislimi është optimist dhe beson se me serbët e këtij fshati mund të jetohet bashkarisht:
"Tokat i kemi me një vend, rrugën me një vend, krejt me një vend dhe duhet me jetu bashkë…"
Në anën tjetër është shtëpia e familjes serbe Simonoviq, e vetmja prej tri familjeve që ka qenë para luftës në këtë fshat. Kryefamiljari Slavko thotë se as që ka menduar ta braktisë fshatin, pasi me shqiptarët ka marrëdhënie të mira:
"Probleme me shqiptarët nuk kemi pasur as para luftës dhe as tash", tha Slavko Simonoviq, duke shtuar se sa herë zyrtarët e KFOR-it amerikan kanë pyetur nëse ai do ta dëshironte kthimin e shqiptarëve, ai tha se u ka thënë atyre se kushdo që të dojë mund të kthehet në shtëpinë vet. Ne e kemi mirë, pasi me shqiptarët kemi jetuar dhe shpresojmë të jetojmë edhe më tej me ta, tha Slavko Simonoviq. Gruaja e tij, Desanka është mirënjohëse edhe ndaj organizatave humanitare që ua kanë ndërtuar shtëpinë, e cila nuk është e mjaftueshme për familjen tetanëtarëshe:
"Shtëpitë na i kanë bërë mjaft të mirë dhe ne kemi jetuar mirë dhe as tash nuk kemi probleme"
Ajo thotë se edhe fqinjët e tyre shqiptarë i vizitojnë:
"Fqinji ynë vjen te ne, rri, bisedojmë dhe shkojnë më pas…"
Edhe nipi i tyre 17 vjeç, nxënës i shkollës së mesme, thotë se do të dëshironte të mbetej këtu ku i kanë jetuar dhe i jetojnë të parët. Ai mendon të studiojë për turizëm, pasi fshati i tij ndodhet shumë afër qendrës së skijimit. Për shkak të izolimit të enklavës së Shtërpces qendra e skijimit nuk është një vend që u ofron mirëqenie fshatarëve të kësaj ane. Banorët shqiptarë thonë se jetën e kanë nisur nga zeroja, pasi nuk kanë as mjete për ta punuar tokën dhe as kafshë për ta rinisur jetën e tyre blegtorale. Përfitimi nga turizmi atyre ende u duket një gjë e largët.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG