Ndërlidhjet

RAGMI MUSTAFA: KËRKOJMË REAGIMIN E FAKTORIT NDËRKOMBËTAR


"Ne gjykojmë se janë nisma të paralajmërimeve nga kreu ushtarak serbo-malazez, për një pranverë të nxehtë, duke nxitur dhe inicuar masën e popullatës shqiptare për reagim me dhunë apo kërcënim. Por ne jemi të vetëdijshëm dhe të mobilizuar, që të gjitha problemet aktuale t'i zgjidhim kryesisht në paqe dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar", thotë, pos tjerash, Ragmi Mustafa, kryetear i Kuvendit Komunal të Preshevës, duke folur për protestat masive të shqiptarëve kundër vrasjes së të riut Dashnim Hajrullahu.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka po ndodhë në Preshevë këto ditë, pas vrasjes së të riut shqiptar, Dashnim Hajrullahu?

RAHMI MUSTAFA
Që katër ditë me rradhë kjo vrasje përcillet me një varg protestash, ku shqiptarët kërkojnë përfundimisht reagimin e faktorit ndërkombëtar, instalimin e forcave ndërkombëtare policore-ushtarake në Luginën e Preshevës, tërheqjen e plotë të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbo-malazeze nga vija administrative me Maqedoninë dhe Kosovën, hapjen e vijave të reja kufitare në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë dhe në këtë mënyrë të shlyhen njëherë e përgjithmonë të gjitha problemet që i ka popullata shqiptare në Luginën e Preshevës me qeverinë e Beogradit, respektivisht ushtrinë serbo-malazeze, apo xhandarmërinë që janë aq të përqëndruara në gjithë vijën administrative me Kosovën dhe Maqedoninë. Ne përfundimisht kërkojmë edhe nëpërmjet këtyre katër protestave me radhë, sot ishte më masivja, ku mbi 10 mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës protestuan në mënyrë të qetë, dinjitoze dhe shumë transparente, duke ftuar ndërkohë faktorin ndërkombëtar në këtë rajon, ku shqiptarët janë të diskriminuar, të përbuzur dhe shpesh herë edhe vriten. Shqiptarët e kësaj treve shpesh herë kanë kërkuar daljen në shtetet perëndimore dhe ata kanë arritur, por asnjëri prej tyre nuk është vrarë as në kufirin austriako-hungarez, as në kufirin austriako-gjerman, as në kufirin austriako-zviceran apo të ngjashëm, por vetëm në tokën e tyre, në shtëpinë e tyre vriten. Kjo është hera e tretë që ndodhin vrasje nga ushtria serbo-malazeze ndaj shqiptarëve në vendkalimin kufitar ndërmjet Llojanit e Miratocit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, zyrtarët serbë kanë thënë se i riu shqiptar Dashnim Hajrullahu është vrarë duke kaluar kufirin ilegalisht. Cilat janë përgjigjet tuaja ndaj këtyre konstatimeve të zyrtarëve serbë?

RAHMI MUSTAFA
Po është e vërtetë…në kufirin e montuar të serbëve ndërmjet Llojanit dhe Miratocit. Nuk janë fajtorë shqiptarët se në Ballkan ose në ish-Jugosllavinë, dolën kufijtë e rinjë dhe këto zona janë mu në vijën administrative ose mu në afërsi të bashkësive lokale Llojan dhe Miratoc. Aty kaloi fëmija, por ka qenë kohë e mesditës, ora 13:30 kur vërtet dukshmëria ka qenë mbi 7-8 km dhe vendi ku ka dalë ka qenë një fushë ku as lepuri nuk mund të fshihet, e jo një fëmijë 16 vjeçar. Ka mundur ushtari ose grupi i ushtarëve serbomalazezë që të vrapojnë pas fëmijës e ta kapin, e jo të gjuajnë mbi të dhe ta lenë të vdekur mbi tokë. Këto ne gjykojmë se janë nisma të paralajmërimeve nga kreu ushtarak serbo-malazez, për një "pranverë të nxehtë", duke nxitur dhe inicuar masën e popullatës shqiptare për reagim me dhunë apo kërcënim. Por ne jemi të vetëdijshëm dhe të mobilizuar, që të gjitha problemet aktuale t'i zgjidhim kryesisht në paqe, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtari serb Nebojsha Çoviç, ka thënë se duhet të krijohet një komision multietnik për hetimin e këtij rasti. Si e vlerësoni ju këtë konstatim të tij dhe këtë kërkesë të tij?

RAHMI MUSTAFA
Po çfarë mund të sjellë hetuesia, kur fëmija ka shkuar dhe nuk kthehet më kurrë? Çfarë mund të sjellë hetuesia përveç se një raporti të shkruar mbi një copë letër dhe të mbetet përgjithmonë e arkivuar, Me këtë arkivohet edhe dhuna dhe terrori serb ndaj shqiptarëve dhe kjo nuk mund të shlyhet lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se kërkoni që të ndërhyjë dhe faktori ndërkombëtar. A keni pasur kontakte me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me OSBE-në?

RAHMI MUSTAFA
Ne me OSBE-në nuk kemi pasur kontakt. Presim që t'i vejmë kontaktet tani me faktorin ndërkombëtar, meqë thirrje publike u kemi bërë të gjithë faktorëve më relevantë në botë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të kemi takime dhe të na ndihmojnë në drejtim të zgjidhjes së këtyre problemeve. Sigurisht se kërkesat tona nuk do të hasin në vesh të shurdhër, së te faktori ndërkombëtar. Ndërsa për qeveritë serbe apo serbo-malazeze, e dime se që në momentin e thirrjes nga ana jonë, hasim në vesh të shurdhër.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG