Ndërlidhjet

logo-print

RUPEL: E ARDHMJA E KOSOVËS VARET NGA KOSOVARËT


Zijadin Gashi, Prishtinë

E ardhmja e Kosovës varet nga kosovarët, që nënkupton nga shqiptarët si shumicë dhe serbët si pakicë, ka thënë sot në Prishtinë, shefi i diplomacisë sllovene dhe kryesuesi i radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Dimitrije Rupel. Ai i ka bërë këto komente pas takimeve që i zhvilloi në Prishtinë me shefin e misionit ndërkombëtar, Soren Jessen-Petersen dhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Slloveni Rupel, i cili po realizon vizitën e tij të parë në cilësinë e kryesuesit të radhës së OSBE-së në Kosovë, tha se për zhvillimet pozitive në Kosovë, është e domosdoshme që të gjithë qytetarët e saj ta shohin Kosovën si vend të tyre, përfshirë këtu edhe komunitetin serb, i cili vazhdon t’i bojkotojë institucionet e zgjedhura vendore:
“Ne të gjithë duam që serbët ta kuptojnë Kosovën si shtëpi dhe atdheun e tyre dhe që Prishtinën ka kenë selinë e tyre”, tha Rupel. Në vazhdim ai i ka porositur liderët e dy komuniteteve më të mëdha në Kosovë, që të veprojnë me kujdes, pasi e ardhmja e Kosovës, shtoi ai, është në rend të parë në duart e tyre:
“E ardhmja e Kosoves varet nga kosovarët, në rend të parë nga shqiptarët dhe serbët e Kosovës. Do të doja ta kuptojnë të gjithë se kjo çështje është në duart e tyre dhe ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm se si do të përdorin atë”, tha Rupel. Ai e vlerësoi të rëndësishëm dhe misionin e OSBE-së në Kosovë dhe angazhimet e kësaj organizate në të ardhmen. Po ashtu, përfaqësuesve vendorë, Rupel u premtoi bashkëpunim dhe me vendin e tij, Slloveninë, duke potencuar jo vetëm bashkëpunimin ndër-institucional, por edhe atë ekonomik.
Bashkëpunimi ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës ka qenë çdo herë i shkëlqyeshëm, tha Rupel, duke shtuar se megjithatë ai është pajtuar me udhëheqësit e Kosovës se historia është mësuese i mirë për të kaluarën, por tani, tha ai, të dy vendet duhet të shikojnë drejt të ardhmes, e cila sipas zotit Rupel duket tejet e ndritshme.
Në anën tjetër, disa nga udhëheqësit vendorë kërkuan nga Rupel të jetë sa më i përkushtuar në avokimin, siç thanë ata, të çështjes së Kosovës në kuadër të mekanizmave evropianë, pra edhe të OSBE-së.



XS
SM
MD
LG