Ndërlidhjet

logo-print

KALIMI I AKM –së NË DUART E QEVERISË VENDOSET NGA KËSHILLI I SIGURIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Me këtë dinamikë të zhvillimit, procesi i privatizimit në Kosovë nuk do të përmbyllet as brenda 20 apo 30 viteve të ardhshme, është thënë sot në një konferencë për privatizimin në Kosovë. Ndërsa ekspertët vendorë shprehën dyshimin e tyre se ky proces po zvarritet tej mase, drejtori i Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit Jassper Deak, tha se pret që pengesat aktuale do të tejkalohen shumë shpejt, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj e vlerësoi kalimin e kompetencave nga fusha e ekonomisë, si një proces të dobishëm që do të reflektohet dhe për dinamizimin e privatizimit. Qeveria, tha Haradinaj, do t’i analizojë fushat e përgjegjësive që do t’i barten, për t’i shfrytëzuar ato në vazhdimin e privatizimit. Mirëpo duke pasur parasysh përgjegjësitë ekskluzive të UNMIK-ut në çështjen e privatizimit, Haradinaj kërkoi ndërmarrjen e disa veprimeve të përbashkëta për vazhdimin e procesit:
“Në kuadër të një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës duhet të ndërmerren edhe këto veprime: Aprovimi i një plani të veprimeve për vendosjen e një dinamike të re me qëllim të rritjes së kredibilitetit dhe shpejtimit të procesit të privatizimit; rikonsolidimi i Bordit të AKM-së, si dhe evitimi i pengesave dhe paqartësive eventuale; forcimi i transparencës në të gjitha fazat e privatizimit, raportimi i rregullt dhe krijimi i kanaleve të rregullta të komunikimit me mediat, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile në përgjithësi”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërkohë, drejtori i AKM-së, Jassper Deak ,nuk u pajtua me vlerësimet e disa ekspertëve vendorë se privatizimi do të zgjatë me dekada dhe se sipas tij, pritet që javët e ardhshme Nju Jorku të dërgojë sinjale pozitive për vazhdimin e procesit. Sidoqoftë drejtori i AKM-së tha se nuk mund ta parashohë se sa ndërmarrje do të privatizohen gjatë vitit 2005, por krejt çka premtoi ishte shpallja e raundit të katërt që do të shënonte vazhdimin e privatizimit:
“Ndihemi mjaft optimistë për raundin e katërt të privatizimit dhe deri tani janë paraqitur mbi 210 konkurrues për blerjen e ndërmarrjeve që do të shiten”, tha Deak.
Në anën tjetër, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli, kërkoi transformimin e AKM-së në kompetencë të vendorëve. Ky rekomandim u përkrah nga shumica e diskutuesve, ndërsa Berim Ramosaj, këshilltar i presidentit Ibrahim Rugova, kërkoi që në këtë transferë të përfshihen dhe ndryshimet e nevojshme të rregulloreve dhe akteve të tjera, me të cilat përcaktohet zhvillimi i privatizimit:
“Procesi i transformimit të pronës përmes AKM-së si është duke shkuar deri në këtë hap, na tregon se do të vazhdojë shumë. Transformimi jo vetëm i pronës, por edhe i institucioneve egzistuese, qoftë i institucioneve të UNMIK-ut, qoftë i Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit, është më i rëndësishëm ndoshta për të kaluar në një proces të mirëfilltë të privatizimit në Kosovë”, tha Ramosaj.
Në kërkesat e vazhdueshme të vendorëve për kalimin e AKM-së në kompetencë të vendorëve, drejtori i saj Jassper Deak, tha se kjo çështje nuk i përket as UNMIK-ut e as shtyllës së BE-së, pasi vendimi për këtë çështje sipas tij, bie mbi Këshillin e Sigurimit në Nju Jork.
AKM-ja për dy vjet e gjysëm ka privatizuar 20 ndërmarrje, ndërsa ka mbi 500 të tjera që presin të privatizohen. Pengesat aktuale thuhet se kanë të bëjnë me çështjet pronësore që janë ngritur nga Beogradi, për një numër të madh të ndërmarrjeve që qeveria e Serbisë i ka transformuar gjatë viteve të ‘90-ta. Këto pengesa sipas drejtorit të AKM-së, pritet të përcaktohen shumë shpejt në Nju Jork, ndërsa përfaqësuesit vendorë, theksuan se privatizimi mund të mbetet peng i statusit të Kosovës për vite të tëra.



XS
SM
MD
LG