Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË


Një polic ndërkombëtar ka vdekur si pasojë e shpërthimit në një automjet të policisë së Kombeve të Bashkuara. Incidenti ka ndodhur në Prizren në orën 8:20 të mëngjesit, ka bërë të ditur Ken Stica, zëdhënës i policisë së UNMIK-ut.
Stica ka konfirmuar vdekjen e policit dhe rrethanat e incidentit, por nuk ka asnjë informacion mbi motivet e mundshme të këtij shpërthimi dhe për të dyshuarit eventualë, të cilët mund ta kenë vendosur mjetin shpërthyes. Në raste të tilla, autoritetet e policisë ndërkombëtare fillimisht e njoftojnë familjen dhe pastaj publikojnë identitetin dhe përkatësinë kombëtare të viktimës, ndonëse jozyrtarisht bëhet e ditur se vendlindja e policit të vrarë sot është Nigeria.
Shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen, dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që kanë zhvilluar sot kanë reaguar mbi vrasjen e policit ndërkombëtar. Zoti Jessen Petersen e ka cilësuar këtë sulm si një rast shumë tronditës, por ka kërkuar vetëpërmbajtje nga spekulimet përderisa të mos përfundojnë të gjitha hetimet. Zoti Haradinaj ndërkaq ka shprehur keqardhjen e tij dhe të të gjitha institucioneve të Kosovës për vrasjen e policit ndërkombëtar.
Polici i vrarë sot është viktima e tetë nga rradhët e policëve ndërkombëtarë të vrarë në Kosovë. Dy viktimat e para vinin nga India dhe Gana, katër të tjerët, amerikanë, qenë vrarë nga një polic jordanez në burgun e Mitrovicës, i cili gjithashtu kishte vdekur gjatë këtij sulmi. Në Kosovë aktualisht veprojnë rreth 3 mijë policë ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG