Ndërlidhjet

RIZA HALIMI: OFERTA – NJË ENIGMË E MADHE


"Ky organ, në tri vitet e para, kishte funksionuar me udhëheqësin që ishte njëkohësisht edhe nënkryetar i qeverisë serbe. Në vitin e fundit, kur ai nuk e pati këtë forcë, ne e dimë se ky trup koordinues gati ishte shuar, apo nuk kishte kurrfarë veprimi konkret", thotë, pos tjerash, Riza Halimi, kryetar i komunës së Preshevës, duke folur për ofertën e autoriteteve në Beograd, që shqiptarët e Luginës së Preshevës të përfshihen në Qendrën koordinuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Halimi, shqiptarët në Luginën e Preshevës, protestuan në mënyrë masive, kundër vrasjes së të riut, Dashnim Hajrullahu. Përveç të tjerave, është kërkuar edhe tërheqja e njësive ushtarake të Unionit Serbi - Mali i Zi nga ky rajon. Në këtë aspekt si e vlerësoni ju situatën e sigurisë në Luginën e Preshevës?

RIZA HALIMI
Ne vitin e fundit kishim, të them, një situatë relativisht të qetë, pa incidente të mëdha, mirëpo siç dihet, vrasja e nxënësit 15 vjeçar në zonën kufitare, përveç shqetësimeve dhe, në përgjithësi, një situate të tensionuar që u shkaktua këto ditë, na riktheu përsëri në atë temën kryesore në Luginën e Preshevës, që rregullisht e kemi potencuar, e kjo është militarizimi i këtij rajoni, jo në gjithë rajonin e Preshevës, por në përgjithësi, në Luginën e Preshevës. Kërkesat tona që në këtë drejtim të kemi një proces të demilitarizimit të mirëfilltë dhe ajo që është më konkrete, zonat 5 km. nga kufiri i Maqedonisë dhe 5 km. i zonës tokësore nga Kosova të reduktohen dhe në këtë drejtim përgjegjësia për rendin dhe qetësinë, t'i kalohet policisë lokale, që është edhe multietnike, kurse çështjen e vijës kufitare ta ketë, pas transformimit që po bëhet, gjithashtu policia, por në një zonë më të ngushtë, më së shumti në 200-300 metra. Por, kërkesa jonë është që edhe ajo polici kufitare të jetë multietnike, pra edhe me polici shqiptare. E në këtë drejtim do të kishim krijuar mirëbesimin, apo thjesht, një situatë më stabile në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët kërkesën për demilitarizimin e rajonit. Autoritetet e Beogradit kanë ofruar që ta tërheqin ushtrinë e unionit Serbi – Mali i Zi, por kanë thënë që atë do ta zëvendësojnë me polici. A do të ishit të kënaqur ju me një zhvillim të tillë?

RIZA HALIMI
Këtu ka dilema vetë në nivelin më të lartë në Beograd. Këta shprehin gatishmëri vetëm për pjesën e kufirit me Maqedoninë, por jo dhe në zonën e sigurisë tokësore në drejtim të kufirit me Kosovën. Këtu ka mendime kontradiktore nga vetë niveli më i lartë shtetëror. Por për mua është thelbësore që zona e veprimit të tyre, që momentalisht kap 70-80 % të sipërfaqes së komunës të Preshevës, të reduktohet në atë masë të arsyeshme sa duhet të jetë, sa është në gjithë botën zona kufitare. Kjo duhet të jetë në më së shumti 200-300 metra. Sa u përketë forcave ne e përkrahim këtë që në vend të ushtrisë, edhe për vijën kufitare, të jenë përgjegjëse forcat policore. Por forca policore, në të cilat do të kishte besim popullata vendore dhe të cilat do të ishin profesionale. Në këtë aspekt do të kishin ndihmuar edhe OSBE-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, të cilat do të kyçeshin, apo patjetër duhet të kyçen, në aftësimin profesional të të gjitha këtyre forcave. Njëlloj si e patëm projektin e policisë multietnike, ku OSBE-ja dha një kontribut shumë të rëndësishëm, duhet që edhe forcat kufitare policore të aftësohen, të trajnohen, për një mjedis të ndjeshëm siç është Lugina e Preshevës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga autoritetet e Serbisë, pas incidentit, është ofruar që përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, të përfshihen në të ashtuquajturën Qendër koordinuese për jugun e Serbisë të zotit Çoviç. Si e komentoni ju këtë ofertë, duke patur parasysh se tashmë disa liderë të tjerë shqiptarë, kategorikisht e kanë refuzuar një mundësi të tillë, ndërsa disa analistë madje thonë se kjo do të ishte legjitimim i kësaj zyreje?

RIZA HALIMI
Ne e kemi marrë dje nga mjetet e informimit këtë lajm, por ende nuk kemi asgjë zyrtare…se si do të dukej trupi koordinues i ripërtrirë apo i reformuar. Nuk e dimë se kush do të duhej të merrte pjesë në atë përbërje dhe në çfarë roli, çfarë kompetencash do duhej të kishin përfaqësuesit. Ky organ, në tri vitet e para, kishte funksionuar me udhëheqësin që ishte njëkohësisht dhe nënkryetari i qeverisë serbe. Dhe në vitin e fundit, kur ai nuk e pati këtë forcë, ne e dimë se ky trup koordinues gati ishte shuar, apo nuk kishte kurrfarë veprimi konkret. Prandaj, është një enigmë e madhe se çfarë është vendosur në nivelin më të lartë para dy ditëve dhe si mendohet: është kjo vetëm një floskulë politike sa për ta qetësuar situatën apo është një projekt serioz që do të kishte kompetenca dhe mundësi që të punonte në zgjidhjen e problemeve konkrete. Ne presim që zyrtarisht të na paraqiten këto çështje thelbësore dhe pastaj do të marrim një qëndrim përfundimtar se a do të përfshihemi apo jo në një trupë të këtillë koordinuese.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG