Ndërlidhjet

STANDARDI I LIRISË SË LËVIZJES NUK MUND TË PËRMBUSHET, PA U PËRMBUSHUR STANDARDET E TJERA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përmbushja e standardit për lirinë e lëvizjes varet nga përmbushja e standardeve të tjera, ka thënë koordinatori i qeverisë së Kosovës për standardet, Avni Arifi. Duke shpjeguar rrugët se si konkretisht mendohet përmbushja e këtij standardi, që është vlerësuar si ndër më kryesorët, ai tha ky standard është i ndarë në shumë detyra dhe shumë veprime që e përmirësojnë lirinë e lëvizjes, i rregullojnë aspektet e jetës së përditshme të qytetarëve dhe sikur edhe standardet e tjera, edhe liria e lëvizjes do ta realizojë progresin e kërkuar. Mirëpo, tha Arifi, është iluzore të mendohet se ky standard mund të shihet ndarë nga përmbushja e standardeve të tjera:
"Lirinë e lëvizjes e shoh në kontekst të zhvillimit dhe përparimit edhe në standardet e tjera. Ne do të kemi liri më të madhe të lëvizjes, kur kemi përparim edhe në standardet e tjera. Kjo nuk mund të shihet në veçanti. Të gjitha standardet janë të lidhura njëra me tjetrën.
Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-ut kanë ndërtuar qysh vitin e kaluar grupet punuese për jetësimin e standardeve, ndërsa qeveria e Kosovës e ka vazhduar këtë punë të nisur, duke përcaktuar edhe standardet prioritare, ku bashkë me sundimin e ligjit, kthimin dhe zhvillimin ekonomik, liria e lëvizjes përbën një nga prioritetet në këtë drejtim.
Në këtë kontekst, zoti Arifi tha se sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik krijojnë një bazë për përmbushjen e standardit të lirisë së lëvizjes, ndërkohë që vetëdijësimi i komuniteteve është një nga faktorët esencial për të pasur sukses lidhur me përmirësimin dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes. Ai tha se secili qytetar i Kosovës duhet ta kuptojë rëndësinë e standardeve dhe duhet bërë një koordinim i aktiviteteve politike dhe i aspekteve të tjera, që janë të shpërndara në standarde të ndryshme:
"Deri më tani është punuar shumë në kontekst të shpjegimit të efektit të vërtetë që kanë standardet. Komunat për shembull, kanë një rol esencial, pasi ato merren me jetën e përditshme të qytetarëve."
Ndërkohë që mesi i vitit 2005 pritet të shënojë vlerësimin e përmbushjes së standardeve, zyrtarët e qeverisë së Kosovës, përgjegjës për koordinimin e standardeve, besojnë se ashtu si edhe standardet e tjera edhe liria e lëvizjes do të mund të vlerësohet pozitivisht. Shefi i UNMIK-ut Petersen, gjatë kësaj jave ka thënë se situata e sigurisë për pakicat është përmirësuar, ndërkohë që pikërisht liria e lëvizjes është ajo që ka mbetur për t’u bërë, në mënyrë që të konstatohet përparimi substancial i përmbushjes së standardeve.
Në këtë kontekst, zoti Petersen ka ftuar edhe një herë serbët e Kosovës që të jenë pjesë e grupeve punuese për standardet, për të arritur përparim më të shpejtë në këtë drejtim.

XS
SM
MD
LG